Dialogu i Brukselit në Këshillin e Sigurimit

Ban Ki-Moon do ta prezantojë të hënën raportin tremujor për Kosovën. Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, të cilët do të jenë të pranishëm në seancë, do t’i paraqesin qëndrimet e tyre për Dialogun e Brukselit.

Lajme

09/02/2014 16:12

Sekretari i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, do ta prezantojë nesër para Këshillit të Sigurimit raportin tremujor për Kosovën.

Në mbledhjen e së hënës në KS të OKB’së do të marrin pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic.

Lituania do të ketë Presidencën e Këshillit të Sigurimit për këtë muaj, ndërsa për herë të parë për raportin mbi Kosovën do të flasin anëtarët e rinj rotativë, që startuan në janar me një mandat dyvjeçar. Ato janë Lituania, Nigeria, Jordania, Çadi dhe Kili dhe katër prej tyre, që përveç Kilit, janë në mesin e 106 vendeve e që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Vendet e tjera rotative në Këshillin 15 anëtarësh, përveç atyre të përhershme janë edhe Australia, Argjentina, Luksemburgu Republika e Koresë dhe Ruanda.

Në raportin e tij më të ri për Kosovën, Sekretari Ban Ki-Moon i rekomandon bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të inkurajojë dhe të mbështesë aktivisht procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Muajt e ardhshëm duhet të jetë një periudhë në të cilën konsolidimi i progresit të arritur në vitin 2013 duhet të bëhet bazë për trajtimin e sfidave të tjera të vështira”, thekson Ban Ki-Moon.

Ai merr shembull siç thotë “përparimin përmbajtjesor që është arritur në tranzicionin e strukturave të policisë në veri të Kosovës që duhet të pasohet me progres dhe përparim edhe në fushën e gjyqësorit dhe fusha të tjera të zbatimit të ligjit”.

Kryeministri Hashim Thaçi, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka deklaruar se nesër do të flasë në seancën e rregullt të Këshillit të Sigurimit të OKB.

“Do t’i paraqes të arriturat e fundit në shtetin tonë: organizimi paqësor dhe demokratik i zgjedhjeve lokale në territorin e tërë Republikës; subjektiviteti ndërkombëtar është forcuar dhe konsoliduar, sot Kosovën e njohin 105 shtete; Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë po vazhdon në Bruksel duke u bërë shembull për tërë botën; implementimi i marrëveshjeve ka hyrë në fazën dinamike dhe të prekshme për qytetarë të Kosovës; reformat demokratike po vazhdojnë në politikë, ekonomi dhe legjislacion.”

“Jemi duke ndërtuar çdo ditë, së bashku me çdo qytetar, Kosovën europiane, të vlerave euroatlantike me vizion që të jemi pjesë e pandashme e OKB, BE dhe NATO”, ka shkruar Kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ndërkaq, ka thënë për mediat serbe se në fjalimin e tij do të paraqesë gjendjen në Kosovë, gjyqësorin në Veri, konstituimin e komunave si dhe procesin e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.