Di Maria shkon, Khedira rrin

Carlo Ancelotti e ka zbuluar të ardhmen e Angel Di Marias dhe Sami Khediras. Trajneri italian ka treguar se mesfushori argjentinas do të largohet, e ai gjerman do të qëndrojë në Santiago Bernabeu.

Sport

24/08/2014 15:49

Carlo Ancelotti ka konfirmuar se Angel Di Maria do të largohet nga Real Madridi në ditët në vazhdim.

Mesfushori argjentinas ka qenë qendër e spekulimeve në ditët e fundit, ndërsa pritet t’i bashkohet përfundimisht Manchester Unitedit.

Trajneri italian konfirmon se dëshira e 26 vjeçarit është dëgjuar, por nuk ka sqaruar se ku do të shkojë futbollisti i Benficas.

“Di Maria s’ka ardhur të ushtrojë, por vetëm të thotë lamtumirë. Nuk është zyrtare ende, por gjithçka po zgjidhet. Ne e falënderuam atë për të gjitha që i ka dhënë dhe i uruam çdo të mirë”, theksoi Ancelotti.

“Kisha marrëdhënie të mira me Di Marian. Ai bëri punë fantastike në Real Madrid. Por, jemi të aftë ta zëvendësojmë mjaft mirë”, shtoi ai.

“Ishte vendim i tij, sepse klubi bëri gjithçka që ta mbante, duke i ofruar gjithçka që mundte, vetëm për ta pasur këtu. Ai vendosi ndryshe, kështu që i urojmë fat”, thotë ish trajneri i Juventusit e Milanit.

“Me Khediran po ashtu është zgjidhur çështja. Khedira do të qëndrojë, është i lumtur që do të mbetet dhe ne jemi të lumtur për qartësimin e gjërave. Tash kemi mjaftueshëm zgjidhje në mesfushë”, thotë Carletto.