Dhuna ndaj të miturës në Gjilan, nisin hetimet
Disa vajza të mitura kanë keqtrajtuar një bashkëmoshatare të tyre në Gjilan. Sipas informacioneve të para nga Policia u theksua se rasti po hetohet dhe se personat e dyshuar janë identifikuar dhe janë intervistuar nga prokuroria. Në lidhje me rastin ka reaguar kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni duke thënë se dhuna ndaj të miturës është…

Lajme
Disa vajza të mitura kanë keqtrajtuar një bashkëmoshatare të tyre në Gjilan.
Sipas informacioneve të para nga Policia u theksua se rasti po hetohet dhe se personat e dyshuar janë identifikuar dhe janë intervistuar nga prokuroria.
Në lidhje me rastin ka reaguar kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni duke thënë se dhuna ndaj të miturës është e papranueshme dhe shqetësuese.
I pari i Gjilanit u bënë thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të veprojnë menjëherë dhe të marrin masat e nevojshme, në mënyrë që të garantohet siguria e çdo fëmije në qytetin tonë.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka reaguar në lidhje me rastin, duke theksuar se ky akt i papranueshëm dhune është një alarm serioz për shoqërinë, institucionet e rendit, arsimit dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve.
KOMF konsideron se dhuna ndaj të miturës nuk është thjesht një incident, por një dështim në parandalimin dhe adresimin e sjelljeve të rrezikshme që cenojnë dinjitetin dhe integritetin e fëmijëve, por edhe jetën, sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
Po ashtu, KOMF bën thirrje për aktivizim të menjëhershëm të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal, duke përfshirë Qendrën për Punë Sociale, shkollat dhe shërbimet e tjera psiko-sociale, për të mbrojtje e rehabilitim të viktimës dhe për të ofruar shërbime për të gjithë të miturat e përfshira.