DhTIK: Rritja e çmimit të energjisë dhe liberalizimi shfaqin pasojat e para negative
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon nga institucionet që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur bizneset e konsumatorët, pas ngritjes së çmimeve të prodhimit si pasojë e shtrenjtimit të rrymës dhe liberalizmit të tregut të energjisë. Në një komunikatë për media thuhet se paralajmërimet…

Lajme
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon nga institucionet që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur bizneset e konsumatorët, pas ngritjes së çmimeve të prodhimit si pasojë e shtrenjtimit të rrymës dhe liberalizmit të tregut të energjisë.
Në një komunikatë për media thuhet se paralajmërimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për rritje të çmimeve të produkteve shkaku i rritjes së çmimit të energjisë 16.1 për qind, po ashtu edhe liberalizmit të tregut të energjisë, tashmë po vërtetohen edhe nga institucionet përgjegjëse.
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për ngritje të çmimeve të prodhimit 4.1 për qind për tremujorin e fundit prill, maj, qershor 2025, raporton KosovaPress.
Sipas ASK-së, ngritjet më të mëdha janë tek energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16.7%); shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9.3%); prodhimi i veshjeve (6.7%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4.2%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2.5%); prodhimi tjetër p.k.t. (1.9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (1.6%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara -thurëse (1.4%); përpunimi i produkteve ushqimore (0.8%); nxjerrja e xehes së metalit (0.3%); prodhimi i pajisjeve elektrike (0.3%); prodhimi i tekstilit (0.2%); prodhimi i produkteve të gomës dhe plastikës (0.1%).
DhTIK kishte paralajmëruar se një rritje e tillë e menjëhershme e çmimit të energjisë, e kombinuar me procesin e liberalizimit të tregut, i cili u përcoll me shumë shkelje, do të reflektonte në rritje zinxhirore të kostove të prodhimit dhe, si pasojë, të çmimeve të produkteve për qytetarët.
Këto rritje e bëjnë edhe më të vështirë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikojnë kapacitetin e tyre për të ruajtur vendet e punës.
DhTIK kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga pasojat e rënda ekonomike.