Dhoma e Tregtisë kërkon pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë: Rrezikohen biznese dhe vende pune
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka reaguar ndaj situatës së krijuar pas aktvendimit të Gjykatës Komerciale – Shkalla e Dytë, duke e cilësuar atë si sfidë shtesë për bizneset që prisnin një vendim të drejtë, si ai i shkallës së parë. Në reagimin e saj, DhTIK e konsideron të papërshtatshëm afatin deri më…

Lajme
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka reaguar ndaj situatës së krijuar pas aktvendimit të Gjykatës Komerciale – Shkalla e Dytë, duke e cilësuar atë si sfidë shtesë për bizneset që prisnin një vendim të drejtë, si ai i shkallës së parë.
Në reagimin e saj, DhTIK e konsideron të papërshtatshëm afatin deri më 16 gusht, të caktuar nga ZRRE, për lidhjen e kontratave me furnizuesit e licencuar, duke theksuar se kjo po krijon vështirësi serioze për qindra biznese, transmeton lajmi.net
Ajo kërkon nga ZRRE që të pezullojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë deri në një vendim përfundimtar nga instancat gjyqësore, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.
DhTIK e rithekson qëndrimin e saj se forma aktuale e liberalizimit është e gabuar dhe e dëmshme për ekonominë, me pasoja si mbyllja e bizneseve, rënie e konkurrueshmërisë dhe humbje të vendeve të punës.
Njoftimi i plotë:
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, vlerëson se situata e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale, ka sjellë sfida të reja për bizneset, të cilat kanë pritur një vendim të drejtë dhe meritor, siç e ka dhënë Shkalla e Parë e kësaj gjykate.
DhTIK vlerëson se afati i dhënë nga ana ZRRE deri më 16 gusht për bizneset që të lidhin kontrata për furnizim, është shumë i shkurtë dhe shkakton probleme të mëdha për qindra biznese, të cilat nuk kanë nënshkruar me asnjë kompani të licencuar.
Gjithashtu, numër i madh i kompanive janë në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata Komerciale, ku kanë dorëzuar padi kundër këtij procesi.
Të tjerat janë në procedurë përgatitjeje të ankesës edhe në instancat tjera gjyqësore, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Andaj me këtë rast DhTIK i është drejtuar sërish me një kërkesë Zyrës së Rregullatorit për Energji, që ta pezullojë vendimin për Liberalizim të Tregut të Energjisë deri në vendimin përfundimtar të instancave gjyqësore.
“E ritheksojmë edhe njëherë se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i qëndron prapa qëndrimit të saj që Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike duhet të pezullohet në tërësi dhe të nisin menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit. Vlerësojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE për ta realizuar Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrikë është tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Nga ky hap, rrezikohen shumë vende pune, ulje të kapaciteteve prodhuese, rënie të konkurrueshmërisë në treg dhe mbyllje të bizneseve”./lajmi.net/