Dhoma e Tregtisë kërkon pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë pas aktgjykimit të Gjykatës Komerciale

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për mosreagimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) pas aktgjykimit të nxjerrë më 29 korrik nga Gjykata Komerciale, që lidhet me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. DhTIK thekson se, pas vendimit gjyqësor, priste hapa konkretë nga ZRRE,…

Lajme

05/08/2025 15:17

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për mosreagimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) pas aktgjykimit të nxjerrë më 29 korrik nga Gjykata Komerciale, që lidhet me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.

DhTIK thekson se, pas vendimit gjyqësor, priste hapa konkretë nga ZRRE, veçanërisht për sqarimin e situatës për kompanitë që nuk kanë kontrata dhe nuk e dinë se nga kush furnizohen me energji dhe kujt duhet t’i përgjigjen financiarisht. Dhoma rithekson se nuk është kundër liberalizimit, por kundër mënyrës së zbatimit të tij dhe kërkon pezullimin e menjëhershëm të këtij procesi, si dhe nisjen e konsultimeve publike me të gjitha palët.

Në mungesë të reagimit institucional, DhTIK ka dorëzuar një kërkesë urgjente edhe te Presidentja Vjosa Osmani, duke rikujtuar se që nga marsi ka ofruar bashkëpunim të plotë me institucionet për këtë çështje.

Komunikata e plotë: 

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me mosreagimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, pas aktgjykimit të datës 29.07.2025, të nxjerrë nga Gjykata Komerciale.

Bazuar në pikën 2 dhe 4 të këtij aktgjykimi, ne kemi pritur një veprim konkret nga ana Zyrës së Rregullatorit për Energji, por deri më tani nga kjo e fundit nuk ka pasur një njoftim për hapat e mëtejshëm.

Kompanitë që nuk kanë nënshkruar kontratë, nuk kanë asnjë informacion se nga kush po furnizohen me energji elektrike dhe kujt duhet t’i përgjigjen në fund të muajit kur t’u vjen fatura.

Ne vlerësojmë se pas këtij aktgjykimi, nuk ka më vend për vazhdim të Liberalizimit të Tregut të Energjisë.

Me këtë rast, DhTIK i është drejtuar edhe njëherë ZRRE-së me kërkesën që pezullojë vendimin për Liberalizim të Tregut të Energjisë dhe të nis menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit.

Në mungesë të reagimit nga institucionet përgjegjëse, Dhoma i është drejtuar me një kërkesë urgjente edhe Presidentes, Vjosa Osmani.

DhTIK qysh nga marsi, kur kemi marrë informatën për nisje të këtij procesi përmes mediave, ne kemi ofruar bashkëpunimin e plotë për të gjitha institucionet, pasi në nuk kemi qenë dhe nuk jemi kundër procesit, por kundër formës së zgjedhur për ta bërë atë./lajmi.net/