Dhjetëra të vrarë në Ukrainë

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se së paku 19 persona janë vrarë dhe 97 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve në mes të trupave qeveritare dhe rebelëve prorusë në lindje të Ukrainës, gjatë 24 orëve të fundit.

Bota

08/08/2014 17:15

Andriy Lysenko, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, ka thënë se 15 ushtarë dhe roje kufitare janë vrarë, ndërsa 79 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve në afërsi të kufirit me Rusinë, në rajonin e Luhansk-ut.

Qeveria ukrainase e ka akuzuar Rusinë se ka furnizuar separatistët me armatim të rëndë dhe luftëtarë, raporton RFE.

Rebelët, në anën tjetër, i kanë akuzuar forcat qeveritare se kanë gjuajtur raketa ‘Grad’ në zonat ku jetojnë civilët, duke lënë të vdekur katër veta, dhe dhjetëra të plagosur.

Autoritetet në Luhansk kanë paralajmëruar se situata në Luhansk është kritike, sepse sipas tyre furnizimi me ujë, energji elektrike dhe sistemi i komunikacionit janë ndërprerë që gjashtë ditë.