Komuna “arsyeton” dhënien në shfrytëzim të pesë çerdheve publike në Ferizaj, prindërit e kundërshtojnë atë
Ditë më parë, Kuvendi Komunal i Ferizajt me shumicë të votave mori vendim që pesë çerdhe publike në këtë komunë të jepen në shfrytëzim për pesë vjet. Menaxhimi i këtyre objekteve do të merret nga ndonjë kompani private e licencuar e që ofron çmimin më të lirë për qëndrim ditor të fëmijëve, edhe atë deri…
Lajme
Ditë më parë, Kuvendi Komunal i Ferizajt me shumicë të votave mori vendim që pesë çerdhe publike në këtë komunë të jepen në shfrytëzim për pesë vjet.
Menaxhimi i këtyre objekteve do të merret nga ndonjë kompani private e licencuar e që ofron çmimin më të lirë për qëndrim ditor të fëmijëve, edhe atë deri në 100 euro.
Por ky vendim i marrë nga Komuna ka nxitur reagimin e shumë prindërve, por edhe të shoqërisë civile “Avonet”.
E në ditën kur është marrë ky vendim, derisa drejtori komunal i Arsimit, Afrim Llabjani ishte duke dhënë sqarime për propozimin, salla ishte lëshuar nga opozita (LVV, LDK dhe RDF), por edhe nga disa asamblistë të koalicionit qeverisës në Komunën e Ferizajt, PDK-AAK-NISMA.
Disa asamblistë të PDK-së kishin lëshuar sallën, si dhe disa të tjerë të kësaj partie dhe AAK-së munguan në seancë.
Me rastin e largimit të asamblistëve nga salla ishte pamundësuar edhe kuorumi për shkak se në sallë mbetën vetëm 19 asamblistë, me ç’rast ky Kuvend mori pauzë. Por edhe pas kthimit nga pauza nuk pati kuorum në sallë në mënyrë që kjo pikë e rendit të ditës të votohej.
Ndërkaq një muaj më pas kuvendi komunal përsëri mbajti mbledhje në lidhje me këtë çështje, ku edhe u arrit të miratohet propozim-vendimi.
Lidhur me këtë çështje, lajmi.net lidhur ka kontaktuar me Komunën e Ferizajt, të cilët thanë se me shumicë votash asamblistët kanë dhënë pëlqimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pesë objekteve të çerdheve.
“Me date 27.09.2024 është mbajtur mbledhja e kuvendit komunal ku është paraqitur si pike dhënia ne shfrytëzim afatshkurtër të pronës së Komunës – objekteve të Institucioneve Parashkollore-Çerdheve, ku me shumica votash asamblistët kanë dhënë pëlqimin per dhënien ne shfrytëzim te objekteve te lartcekura”, kanë thënë nga Komuna.
Sipas komunës ky propozim ka kaluar pasi këto objekte ka kohë që kanë vështirësi në funksionalizim për shumë arsye, ndër to edhe mos aprovimi i shtimit të personelit, gjë për të cilën thonë se mos shfrytëzimi i tyre kontribuon që të dëmtohen edhe më tepër.
“Me date 27.09.2024 është mbajtur mbledhja e kuvendit komunal ku ka kaluar pika per dhënien ne shfrytëzim afatshkurtër te objekteve Komunale. Per shkak se keto objekte ka kohe qe kane vështirësi ne funksionalizim per shume arsye, nder to mos aprovimi i shtimit te personelit: teknik e profesional nga niveli qendror ka pamundësuar qe keto çerdhe te funksionalizohen nder te tjera mosfunksionalizimi I atyre objekteve kontribuon qe ato objekte te dëmtohen edhe me shume”, thanë nga Komuna për Lajmi.net.
Tutje nga Komuna e Ferizajt kanë thënë se qëllimi i dhënies në shfrytëzim të këtyre pesë çerdheve është edhe rritja e përfshirjes më të madhe të fëmijëve në kopsht.
“Qëllimi i dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës është rritja e përfshirjes sa më të madhe të fëmijëve në kopshte duke u bazuar edhe në Ligjin për Edukimin e Hershëm nr. 08/L-153, neni 12 dhe 13”, kanë thënë nga komuna.
E ky vendim nuk është parë aspak pozitivisht nga Këshilli i Prindërve në nivel komunal të Ferizajt.
Madje kryetarja e këtij këshilli, Naile Krasniqi pati deklaruar se kjo është privatizim dhe se dhënia e objekteve të çerdheve në shfrytëzim po kundërshtohet nga të gjithë prindërit, e njëjtit vazhdojnë të kërkojnë shfuqizimin e këtij vendimi.
“Komuna ose veçanërisht drejtoria Komunale e Arsimit së bashku me ministrinë duhet të gjejnë alternativë ose mekanizmat të cilat duhet të funksionalizojnë këto institucione dhe në asnjë mënyrë të mos privatizohen sepse kjo është në dëm të komunitetit, veçanërisht për prindërit ferizajas. Në Kosovë është treg i lirë dhe patjetër që kosto nuk do të mund të kontrollohet prej drejtorisë Komunale të Arsimit, pra do të vendosë vetë organi ose personi i cili do ta marrë objektin dhe krahas rritjes së shpenzimeve të prindërve, do t’i bëjë dëme prindërve dhe fëmijëve të cilët do të shkojnë në këto institucione parafillore”,pati deklaruar ajo.
Ajo ka shtuar se komuna po bie në ndesh me atë që e ka premtuar për funksionimin dhe menaxhimin publik të këtyre objekteve.
Kurse nga organizata joqeveritare “Avonet”, kanë theksuar se mënyra se si ka propozuar ekzekutivit para kuvendit një propozim të tillë është shqetësim i thellë, pasi sipas tyre Komuna do të duhej të garantoj edukim të këtyre fëmijëve në institucione publike e jo private.
“Dukuritë e tilla nuk garantojnë sigurinë për fëmijët. Nuk ka logjikë të privatizohen apo të jepen në shfrytëzim objektet për t’ia dhënë mundësinë dikujt t’i privatizon ato. Shteti duhet të garantojë së paku në themelimin, siç parashihet me ligjet e Kosovës për funksionimin dhe themelimin e çerdheve. Shteti duhet të gjejë mënyrat e subvencionimit dhe të garantojë dhe të kërkojë garancion nga qeveria e nivelit qendror për t’i funksionalizuar çerdhet në Ferizaj. Por, jo në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë nuk duhet të jetë mënyra e tillë siç e kemi quajtur në privatizimin e çerdheve lokale”.
Sipas Gashit, shteti është i obliguar ligjërisht edhe nëpërmjet ligjeve të Republikës së Kosovës, por edhe nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që t’i edukojë dhe t’ia jep mundësinë fëmijëve që të shkollohen në institucione publike, e pastaj në ato private.
E mungesa e stafit në edukimin e hershëm të fëmijëve është problematike thuajse në secilën komunë. Shpesh herë mungesa e stafit, por edhe e objekteve adekuat në kuadër të çerdheve bën që prindërit të detyrohen t’i lënë fëmijët në çerdhe private, e jo në ato publike.
Problematika e tillë që daton ndër vitesh në Kosovë, nuk është trajtuar as nga kjo Qeveri.
Numër i vogël i çerdheve publike pamundëson që shumë familje t’i kenë fëmijët aty./Lajmi.net/