Dhanë para me kamatë 30 për qind, arrestohen për fajde dy persona
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Gjilan nën dyshimin e kryerjes së vepres penale 'fajde'.

Lajme
Mësohet se të dyshuarit i kanë dhënë viktimës në etapa të ndryshme 226,000,00 euro me kamatë prej 30 për qind që detyrohej t’i kthente saktësisht 294,000,000 euro, shkruan lajmi.net.
Njëri prej dy të arrestuarve është ndaluar për 48 orë pas intervistimit ndërsa tjetri është liruar me procedurë të rregullt.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë:
Arrestohen dy të dyshuar, nën dyshimin e kryerjes se veprës penale ‘fajde’
Prishtinë, 4 qershor 2020
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Gjilan, pas pranimit të disa informatave para disa muajsh, ka filluar veprimet hetimore në sigurimin e dëshmive relevante nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘fajde’.
Hetuesit policorë gjatë trajtimit të rastit, ku janë përdorur edhe masat e fshehta të hetimit, kanë ardhur tek disa të dhëna ku dyshohet se dy të dyshuar F.D (viti i lindjes 1979) dhe J.D (viti i lindjes 1949), meshkuj kosovarë, i kanë ofruar një qytetari në etapa të ndryshme 226,000.00 (dyqind e njëzet e gjashtë mijë) €, me kamatë 30%, pra qytetari obligohej t’i kthente 294,000.00 (dyqind e nëntëdhjetë e katër mijë) € të dyshuarve.
Në kuadër të veprimeve hetimore, sot më 04.06.2020, sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore-Gjilan, janë kontrolluar shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse pronë e të dyshuarave të cilët janë intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas përfundimit të intervistës me aktvendim të prokurorit të lëndës, i dyshuari F.D është ndaluar për 48 orë, kurse i dyshuari J.D është liruar në procedurë të rregullt. /Lajmi.net/