Dezinformatat dhe dramatizimi nga mediet serbe dhe ruse për situatën e Veriut

Situata në veriun e Kosovës ka prodhuar një mori dezinformatash ditëve të fundit. Kanë qarkulluar dezinformata të ndryshme, por me qëllim të njëjtë, propagandimin lidhur me zhvillimet në pjesën veriore të shtetit të Kosovës. Temat e ndjeshme gjithmonë janë tërheqëse për ata që prodhojnë propagandë dhe çështja e veriut padyshim është një nga to. Nga dita e parë e bllokimit të rrugëve në afërsi të kufirit me Serbinë, në internet kanë vërshuar dezinformatat që burim kishin kryesisht mediet serbe dhe ruse.

Opinion

09/10/2021 17:50

Pozitive në gjithë këtë ishte reagimi i institucioneve kosovare, që në vazhdimësi u përpoqën të demantojnë dezinformatat që kishin të bënin drejtpërdrejt me to, mirëpo edhe një herë nënvizohet domosdoshmëria për një strategji dhe ndërtim të kapaciteteve institucionale për të luftuar dezinformatat dhe propagandën anti-shtetërore. Rasti i reagimit të Ministrisë së Mbrojtjes më 24 shtator, pas dezinformatave se FSK-ja po përgatitet të hyjë në Veri është një nga shembujt e reagimit institucional. I tillë ishte edhe reagimi i Policisë së Kosovës, kur demantoi dezinformatën se njësia speciale kishte rrahë tre serbë në Bërnjak. Portali serb në Kosovë, ‘Kosovo-online’, më 23 shtator kishte raportuar se tre serbë ishin rrahur në Zubin Potok nga pjesëtarët e njësisë speciale të Kosovës. Një ditë më parë, të njëjtin portal, Policia e Kosovës e kishte demantuar për një tjetër dezinformatë, kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një qytetar të komunitetit serb dhe KFOR-i e ka parandaluar incidentin. Edhe më 21 shtator, Policia e Kosovës kishte reaguar ndaj dezinformatave që vinin nga Serbia dhe që kishin të bënin me situatën në Veri. Një tjetër rast ishte dezinformata e publikuar nga portali ‘Kosovo-online’ kinse pjesëtarë të zjarrëfikësve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë larguar flamurin serb nga transmetuesi i operatorit serb të telefonisë, “MTS”. Kjo ishte demaskuar edhe nga media kosovare që merret me verifikimin e fakteve, Hibrid.info. Në këtë qarkullim informacionesh të pavërteta ishte përfshirë edhe Igor Simiç, nënkryetari i Listës Serbe, pasi kishte shpërndarë në faqen e tij në Facebook dezinformatën se Njësia Speciale e Kosovës qëllimisht ka dëmtuar dhjetëra automjete të serbëve në pikën kufitare në Bërnjak, megjithatë kjo ishte demantuar nga Policia e Kosovës. E njëjta dezinformatë ishte shpërndarë edhe në disa media serbe.

Tituj sensacional apo edhe tendencioz janë përdorë në vazhdimësi nga media që kishin për qëllim propagandën dhe dezinformimin. Gjithashtu, dezinformata që synonin për të dramatizuar situatat haseshin te mediet serbe “Kosovo Online”, “Sputnik Serbia”, etj. “Kosovo Online” kishte tituj të tillë si “Dramatike në Bërnjak: Forcat speciale u përpoqën të nxirrnin një serb nga vetura, KFOR parandaloi incidentet”, sikurse edhe media tjetër serbe, “Telegraf”, ndërkaq te “Sputnik Serbia”, media që kontrollohet nga Rusia, publikoheshin dezinformata me tituj: “Vuçiq për hyrjen e ushtrisë në KiM: I thashë qartë NATO-s, do të presim 24 orë”, “Dramë në Bërnjak: Forcat ROSU rrahën tre serbë”, etj. Fjalën ‘dramë’ e përdorën edhe gazetarë të tjerë në Serbi, sikurse rasti i “Kurir”: “Dita 3: Dramë në Bërnjak, ROSU u përpoq të nxirrte një serb nga makina!”.

Tituj sensacional e dramatizues në disa medie të ndryshme:

Në shumicën e këtyre dezinformatave janë përdorë tituj sensacional, apo edhe tendencioz, me qëllim që propaganda dhe dezinformata të tërheqë numër sa më të madh të lexuesve, njëkohësisht duke rritur probabilitetin e ndikimit, sepse sa më shumë njerëz që i lexojnë ato dezinformata, aq më i madh mund të jetë ndikimi i tyre. Kjo natyrisht është një hipotezë që do të mund të ngritej dhe të testohej në një studim.

Dezinformimi i tillë, siç ishte ky për Veriun, është pjesë e fushatave të atilla që bëhen për të minuar sigurinë kombëtare, apo për të mbështetur agjenda të caktuara politike dhe për të krijuar mjegullnajë lidhur me atë që po ndodhte në veriun e vendit, siç ishte rasti me agjencinë shtetërore ruse në gjuhën serbe “Sputnik Serbia” që brenda një dite kishte publikuar rreth 30 lajme për aksionin e policisë së Kosovës apo publikimit të dezinformatave të njëjta dhe në kohë përafërsisht të njëjtë nga dy media të ndryshme, “Kosovo-online” dhe “Sputnik Serbia”. Përdorimi i dezinformimit për qëllime të tilla është një nga rreziqet më të mëdha që mund të ndodhin në botën e sotme të pas të vërtetës. Koha dhe ngjarjet kanë dëshmuar se manipulimi i opinionit publik nëpërmjet dezinformimit mund të ketë ndikim të dëmshëm në shoqëri, prandaj është e domosdoshme që dezinformimi të luftohet nga institucionet në mënyrë aktive. Reagimi i institucioneve të Kosovës karshi dezinformatave që plasoheshin për Veriun tregon se mobilizimi mundëson që të hidhen poshtë të pavërtetat dhe të demaskohen burimet që shpërndajnë dezinformata. Megjithatë, e tërë kjo situatë gjithashtu tregon se sa e rëndësishme është që institucionet dhtetërore, presidenca, zyra e kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të kenë qasje strategjike në raport me dezinformatat që vijnë nga jashtë. Mungesa e një strategjie e lë Kosovën të hapur dhe pa mbrojtje ndaj propagandës dhe dezinformimit./Dren Gerguri/