Devolli thotë se Malisheva fitoi falë gabimeve të Drenicës, Sokoli pranon se triumfi ishte i domosdoshëm

Malisheva e drejtuar nga trajneri Bylbyl Sokoli ka triumfuar 1:2 ndaj Drenicës në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, në kuadër të javës së 31-të kampionale në Superligën e Kosovës. Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli tha pas ndeshjes se fitorja e Malishevës nuk ishte meritë e tyre, por erdhi si pasojë e gabimeve të futbollistëve që…

Sport

29/04/2023 17:29

Malisheva e drejtuar nga trajneri Bylbyl Sokoli ka triumfuar 1:2 ndaj Drenicës në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, në kuadër të javës së 31-të kampionale në Superligën e Kosovës.

Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli tha pas ndeshjes se fitorja e Malishevës nuk ishte meritë e tyre, por erdhi si pasojë e gabimeve të futbollistëve që ai drejton.

“Me mungesën e lojtarëve kryesorë ka rënë edhe forca e ekipit. Ndeshjen e filluam mirë, kaluam në epërsi dhe pranuam gola. Nuk ishte meritë e kundërshtarit, por golat që i pranuam erdhën falë gabimeve tona. Dhe ndeshja më pas mbaroi si mbaroi”, deklaroi Devolli për Art Sport.

Trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli tha se fitorja ndaj Drenicës ishte e domosdoshme për skuadrën e tij.

“Ishte ndeshje shumë e vështirë, me shumë ngarkesa. Ishte fitore e domosdoshme. Atë e arritëm dhe tash mendojmë për ndeshjen e radhës. Këta djelmosha e merituan fitoren. Gjatë tërë kohës u angazhuan maksimalisht. Kemi bërë gabime që duhet të evitohen natyrisht. Ne shkojmë për fitore ndaj Trepçës ’89. Do të jetë domethënëse për ne. Me këto dy fitoret e fundit kemi bërë hap të sigurt pas humbjes nga Gjilani. Duhet kërkuar fitoren për t’i ikur barazhit”, tha Sokoli.

Malisheva me këtë fitore është në pozitën e shtatë me 36 pikë. 23 pikë në vendin e fundit është Drenica me pak gjasa të mbijetojë në Superligën e Kosovës./Lajmi.net/