Vajza që spiunonte për Serbinë me pilotin kroat thuhet se “kishte qasje direkte në zyrën e kryeministrit të Kosovës”

Emra të ndryshëm të serbëve, por edhe të kosovarëve përfunduan së fundi prapa grilave- pikërisht nën dyshimin për spiunazh. E një rast tejet i madh në kuadër të spiunazhit raportohet të jetë zbuluar së fundi në Kroaci. E gjithë kjo lidhet me një lidhje romantike që kishte piloti kroat me një serbe në Kosovë, e…

Lajme

28/08/2025 10:45

Emra të ndryshëm të serbëve, por edhe të kosovarëve përfunduan së fundi prapa grilave- pikërisht nën dyshimin për spiunazh.

E një rast tejet i madh në kuadër të spiunazhit raportohet të jetë zbuluar së fundi në Kroaci.

E gjithë kjo lidhet me një lidhje romantike që kishte piloti kroat me një serbe në Kosovë, e cila dyshohet se ishte agjente serbe.

“Vajza kishte lidhje direkte në zyrën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por po ashtu edhe me zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”, deklaroi analisti ushtarak nga Kroacia, Ivica Mandiq derisa fliste për skandalin e spiunazhit.

Në publikimin e bërë nga media kroate, Vecernji List, thuhet se agjentja me inicialet A.M., e cila ishte “rekrutuar nga shërbimet serbe”, shërbime të cilat inkurajonin punësimin e serbëve në organizata ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas gazetares kroate Sandra Veljkoviq, “ata i përdornin për të siguruar informacione dhe për të ndërhyrë në drejtësi, veçanërisht kundër ish anëtarëve të UÇK-së”.

Shkrimi i gazetës kroate gjithashtu thotë se e dyshuara është sociologe dhe se ajo kishte një lidhje me pilotin kroat me të cilin kanë shkëmbyer edhe informacione të ndjeshme.

Sipas këtij raportimi, e njëjta ka pasur lidhje me shumë gjyqtarë e prokurorë, e madje edhe ka bërë shantazh.

“A.M punoi gjithashtu për Misionin e Bashkimit Evropian për Vendosjen e Sundimit të Ligjit në Kosovë, detyra e të cilit është të ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe policinë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit (EULEX) dhe Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNIMIK). Dyshohet se ajo kishte lidhje të ngushta me shumë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët, sipas burimeve, dyshohet se i kishte shantazhuar”, thuhet në këtë raportim.

“Shërbimet serbe rekrutuan dhe inkurajuan punësimin e serbëve në organizatat ndërkombëtare në Kosovë, duke i përdorur ata për të ofruar informacion dhe për të ndërhyrë në drejtësi, veçanërisht kundër anëtarëve të UÇK-së. Sipas burimeve, AM informoi vazhdimisht zyrtarët e Listës Serbe për ngjarjet në këto organizata”, thuhet më tutje.

Rasti i spiunazhit i cili tanimë po hetohet nga organet kroate, fillimisht u raportua si arrestim i pilotit kroat dhe të dashurës së tij serbe para një muaji në Split të Kroacisë. Në arsyetimet fillestare për arrestimin e tyre nuk ishin bërë publike, por piloti ishte liruar fillimisht ndërsa e dashura e tij ishte detyruar të largohet nga Kroacia- për shkak të shtetësisë jokroate.

Pas kërkimeve e hulumtimeve të cilat janë bërë në kuadër të gjësendeve personale siç janë telefonët, hetimet janë zgjeruar dhe hetuesit e kanë parë se kishte pasur shkëmbim të informacioneve të ndjeshme në drejtim të politikanëve serbë, të cilat piloti më pas ia kishte bartur të dashurës së tij, gjatë qëndrimit në Kroaci ku edhe shërbeu si pjesëtar i kontingjentit kroat, pjesë e KFOR-it.

Pas kësaj, që të dy u arrestuan.

E siç u raportua mbrëmë tanimë pilotit dhe partneres së tij serbe i është caktuar një muaj paraburgim.

Siç theksohet masa e paraburgimit iu caktua për shkak të rrezikut të ndikimit tek dëshmitarët dhe shkatërrimit të provave. Kurse e dashura e tij për të njëjtat arsye, por shtuar këtu edhe rrezikon e arratisjes pasi e njëjta s’ka vendbanim të përhershëm në Kroaci.

Ndryshe piloti ushtarak kroat dhe e dashura e tij – shtetase serbe nga Mitrovica e Veriut – u arrestuan në fund të korrikut me dyshimin për spiunazh në favor të Serbisë. Ata u morën në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit.

Sipas Kodit Penal, dënimi për këtë vepër penale është nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg./Lajmi.net/