Detaje se si aborti i jashtëligjshëm nisi në një shtëpi në Podujevë, nën pranga gruaja bashkë me nënën

Një rast tejet i ndjeshëm është raportuar së fundi në rajonin e Prishtinës. Një foshnjës i është pamundësuar ardhja në jetë, nga dy gra të dyshimta. Sipas burimeve të lajmi.net, një grua bashkë me nënën e saj janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për vrasje të foshnjës gjatë lindjes si dhe për ndihmë…

Lajme

01/07/2024 10:39

Një rast tejet i ndjeshëm është raportuar së fundi në rajonin e Prishtinës.

Një foshnjës i është pamundësuar ardhja në jetë, nga dy gra të dyshimta.

Sipas burimeve të lajmi.net, një grua bashkë me nënën e saj janë arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për vrasje të foshnjës gjatë lindjes si dhe për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Policia ka njoftuar se një grua ka kërkuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës , pasi dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të jashtëligjshme.

“Podujevë 30.06.2024-02:00. Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e të dyshuarave, teksa më pas të njëjtat kanë përfunduar në QKUK.

Siç mëson Lajmi, aborti i jashtëligjshëm nisi në shtëpi, kurse të dyshuarat në këtë rast Nënë e bijë kanë kërkuar tretman mjekësor në institucionin shëndetësorë për trajtim mjekësor.

Në lidhje me këtë rast, Lajmi.net ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë nga ku është konfirmuar rasti.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së”,u tha në përgjigje.

Gjithashtu u theksua se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe të fazës hetimore në të cilën gjendet kjo çështje, nuk mund të jepen detaje të tjera.

Me Ligjin në fuqi të Republikës së Kosovës, “një femër e moshës madhore mund të vendosë vet mbi ndërprerjen e shtatzënisë deri në fund të javës së dhjetë (10) të shtatzënësisë, kurse çdo ndërprerje e shtatzënisë pas javës së 10 është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë dhe duhet të bëhet me komision shëndetësor profesional”.

Aborti sipas të njëjtit Ligj, lejohet edhe pas javës së 10, madje në çdo periudhë të shtatzënisë, për arsye mjekësore.

Kurse, “për arsye kriminologjike një femër ka të drejtë ta ndërpresë shtatzëninë gjerë në javën e 22-të”.

E, megjithëse Kosova është zyrtarisht një vend laik, shpesh për shprehje të mendimit dhe vendime të ndryshme, kosovarët thirren në qëndrimet e fesë./Lajmi.net/