Detaje- Astrit Isufi u arrestua në fshatin Plloqicë dhe është i plagosur, tentoi të fshihej brenda shtëpisë së pabanuar

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë dje në fshatin Golluboc të Malishevës. Astrit Isufi i cili nga momenti i vrasjes ishte në arrati është arritur që të arrestohet në fshatin Plloqicë. Fillimisht arrestimi i tij u bë i ditur nga Prokuroria në Gjakovë. “Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik,…

Lajme

07/11/2025 08:51

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë dje në fshatin Golluboc të Malishevës.

Astrit Isufi i cili nga momenti i vrasjes ishte në arrati është arritur që të arrestohet në fshatin Plloqicë.

Fillimisht arrestimi i tij u bë i ditur nga Prokuroria në Gjakovë.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati.Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”,thuhet në njoftim.

Po ashtu u theksua se brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.

Në lidhje me arrestimin e tij, lajmi.net ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Policisë ë Kosovës për rajonin e Gjakovës Lumni Graishta.

Ai njoftoi  se i dyshuari Astrit Isufi është arrestuar në ora 06:30 në fshatin Plloqicë.

Po ashtu i njëjti theksoi se i dyshuari në këtë rast tanimë i arrestuar është i plagosur.

“I dyshuari është i plagosur dhe pas ndihmës së parë në QKMF në Malishevë i njëjti është transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm”.

Gjithashtu një detaj shtesë në lidhje me arrestimin e tij u dha se Astrit Isufi ka tentuar të fshihet brenda një shtëpie të pabanuar në këtë fshat dhe më pas Policia kishte arritur që të bie në gjurmët e tij ku edhe më pas u arrestua.

Pasditen e djeshme një vrasje e rëndë u raportua të ketë ndodhur në Malishevë ku viktima ishin dy vëllezër.

Ngjarja u bë edhe më e rëndë për faktin se i dyshuari për vrasjen e tyre ishte dhëndri, saktësisht burri i motrës.

Viktimat në këtë rast, Driton dhe Naim Morina u raportua se kishin ardhur në Kosovë para disa ditëve dhe po prisnin për ngushëllime pasi babai u kishte ndërruar jetë tri ditë më parë.

Lajmi.net dje raportoi se i dyshuari në këtë rast, Astrit Isufi ishte edhe në muajin prill i burgosur por ishte liruar gjë për të cilën detaje shtesë nuk dha nga dje Gjykata Themelore në Prishtinë.

Prokuroria e konfirmoi për lajmin se ai ishte i akuzuar për dhunë në familje dhe kanosje, por se me vendim të gjykatës ishte liruar.

Siç u raportua në media problemet në mes çiftit kishin lindur më herët ndërsa sipas informacioneve të pakonfirmuara vëllezërit kishin kërkuar nga motra e tyre që të ndahej si shkak i këtyre problemeve.

Të gjitha këto detaje nuk janë konfirmuar dhe mbetet të qartësohen nga hetuesia./Lajmi.net/