Dështuan të bëhen deputet – Kurti po i provon përsëri disa prej tyre në zgjedhjet lokale
Afati për dorëzimin e listave për kandidatë për kryetarë të komunave në KQZ përfundon sot, ndërsa partia më e madhe në vend po vazhdon zyrtarizimin e kandidaturave për kryetarë të komunave të Kosovës. Derisa Albin Kurti nga komuna në komunë po prezanton kandidatët e VV-së për kryetarë të komunave, bije në sy një fenomen interesant.…

Lajme
Afati për dorëzimin e listave për kandidatë për kryetarë të komunave në KQZ përfundon sot, ndërsa partia më e madhe në vend po vazhdon zyrtarizimin e kandidaturave për kryetarë të komunave të Kosovës.
Derisa Albin Kurti nga komuna në komunë po prezanton kandidatët e VV-së për kryetarë të komunave, bije në sy një fenomen interesant.
Në disa komuna të rëndësishme, kjo parti ka zyrtarizuar kandidatë për kryetar që në zgjedhjet e fundit nacionale nuk kanë arritur të bëhen deputet në Kuvend.
Deri me tani, Kurti ka prezantuar disa kandidatë për kryetarë të komunave për zgjedhjet e 12 tetorit, të cilët në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit nuk kanë qenë të suksesshëm.
Një gjë e tillë dje ka ndodhur me Gjakovën.
Në një ceremoni ku ka marrë pjesë Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe disa zyrtarë të lartë të VV-së, është zyrtarizuar kandidatura e Ardian Golës për kryetar të Gjakovës.
Gola, i cili në legjislaturën e kaluar ka qenë deputet, në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka arritur të siguroi ulëse në Kuvend.
“Me dashuri e përgjegjësi, për Gjakovën! 🫶 I juaji, Ardiani”, ka shkruar Gola në profilin e tij në “Facebook”.
Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, Taulant Kelmendi është prezantuar si kandidat i VV-së për kryetar të Komunës së Pejës.
Edhe Kelmendi ishte pjesë e listës së VV-së për deputet në zgjedhjet e fundit, por nuk ka arritur të fitoi mandat.
Megjithatë, Kurti është shprehur optimist për kandidaturën e tij.
“Me Taulant Kelmendin kemi punuar bashkë në qeverinë qendrore, ku ai mban pozitën e zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. E nga kjo vjeshtë mezi pres t’i vazhdojmë punët e mira për qytetarët e Pejës, ai nga Zyra e Kryetarit të Komunës e unë nga Kryeministria”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Disa ditë më parë, edhe për Ferizaiin, VV-ja ka propozuar një kandidat, i cili ka dështuar të bëhet deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ish-deputeti Enver Haliti do të synojë të fitojë garën për të parin e kësaj komune, pasi ka humbur garën për deputet.
“Enver Haliti e njeh Ferizajn si pëllëmbën e dorës. Ai ka qenë Kryesues i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE në Kuvendin Komunal të Ferizajt, kurse më herët drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e më pas drejtor i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit. Enveri i di problemet por edhe zgjidhjet, sfidat por edhe potencialin e Ferizajt. Nga sot kandidat i ynë për kryetar, e pas zgjedhjeve lokale kryetar i komunës së Ferizajt”, ka shkruar Kurti.
Edhe në Komunë të Vushtrrisë VV-ja synon fitoren me një kandidat që nuk ka qenë i suksesshëm në garën për deputet.
Sylejman Mehollin, i cili nuk ka arritur të bëhet deputet në zgjedhjet e 9 shkurti, do të tentojë të marrë postin e të parti të Vushtrrisë.
Ndryshe nga këto raste, në komunat ku VV-ja synon seriozisht fitoren në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka kandiduar për kryetarë me kandidatë që në zgjedhjet e fundit janë zgjedhur deputet.
Kështu ka vepruar në Prishtinë me Hajrullah Çekun, në Mitrovicë me Faton Pecin, dhe në Prizren me Artan Abrashin.
Ndërsa, në komunat që ka qeverisur VV-ja ka vazhduar të garojë me kandidatë të njëjtë.