Dështon sërish seanca për vrasjen në “Bon Vivant”

Mungesa e anëtarit të trupit gjykues Isuf Makolli ka ndikuar që të dështojë gjykimi ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, të cilët po akuzohen për vrasjen e rojës në lokalin “Bon Vivant”.

Lajme

26/11/2020 13:40

Këtë e bëri të ditur kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, e cila tha se arsyeja e mungesës së  gjykatësit Makolli është gjendja jo e mirë shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa ka munguar edhe i akuzuari Sherif Krasniqi, për të cilin, mbrojtësi i tij, avokati Haxhi Millaku ka thënë se i njëjti nuk e kishte njoftuar për mungesën në këtë seancë.

Ajo më tutje ka thënë se për të akuzuarin Masar Gërdovci, gjykata e ka revokuar urdhëresën për sjelljen e të njëjtit në sallën e gjykimit.

Të pranishëm në sallë ishin, prokurori i shtetit Armend Hamiti, njëri nga pronarët e lokalit “Bon Vivant”, njëkohësisht deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili i cili ishte ftuar si dëshmitar, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Armend Krasniqi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Gërdovci, avokati Naim Rudari.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është caktuar të mbahet më 16 dhjetor 2020, në ora 9:30.

Ndryshe, me aktgjykimin e Themelores, të datës më 22 janar 2019, Masar Gërdovci ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasjen e lartpërmendur, kurse i akuzuari tjetër në këtë rast, Sherif Krasniqi, ishte dënuar me katër vjet e tre muaj, pasi ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Kurse, Krasniqi ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi thuhej se nuk është provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Gërdovcit i ishte vazhduar edhe masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarit Sherif Krasniqi i ishte ndërprerë një masë e tillë.

Por, me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë nuk ishin pajtuar palët në procedurë të cilat ushtruan ankesa në Gjykatën e Apelit.

Pas ankesave të ushtruara në Gjykatën e Apelit, nga Prokuroria pala e dëmtuar dhe dy të akuzuarit, Gjykata e Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit,  ngase arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse në masë të konsiderueshme për faktet vendimtare ka kundërthënie të konsiderueshme ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetimin e aktgjykimit lidhur me përmbajtjen e shkresave ose procesverbaleve për deklarimet e dhëna në procedurë.

Familja e të ndjerit përmes ankesës kishin kërkuar nga Apeli dënime maksimale për dy të akuzuarit.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim, me pretendimin se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale, duke kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasninqi, avokati Haxhi Millaku kishte ushtruar ankesë mbi vendimin mbi dënim, me pretendimin se dënimi prej 4 vjet e 3 muaj ndaj të mbrojturit të tij, siç tha ai, e tejkalon maksimumin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim të mbrojturit të tij, aq kohë sa ai kishte qëndruar në paraburgim, e që sipas tij e tejkalon maksimumin e sanksionit penal të paraparë për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, me pretendimin se i mbrojturi i tij nuk është kryerës i veprës penale, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar kthimin e këtij rasti në rigjykim.

Kjo me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit të atakuar është i mangët, i paqartë dhe i pakuptueshëm.

Sipas tij, gjykata nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare, e edhe në rastet kur i ka dhënë, sipas tij, ato janë shumë konfuze.

Ndërsa, lidhur me armën e përdorur në këtë rast, gjykata kishte marrë vendim që e njëjta të konfiskohet, ndonëse në seancën paraprake, gjykatësja Çerkini kishte deklaruar se, përmes raportit nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë është shkatërruar, pas konstatimit se ajo nuk ka pasur përputhshmëri me rastet e hapura në laboratorin e armëve të zjarrit.

Pas vendimit të Apelit të marr në tetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të citit 2020 kishte nisur rigjykimin e të akuzuarve Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.

Në seancën e parë pas rigjykimit i akuzuari Gërdovci kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Suzana Çerkini dhe anëtares Shpresa Hasaj–Hyseni, por një kërkesë e tillë ishte vlerësuar si e pabazuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore.

Kjo ishte arsyetuar me faktin se pala e cila ka paraqitur kërkesën nuk e ka dëshmuar se me çfarë rrethana do të vihej në dyshim paanshmëria e gjykatëses.

E rigjykimi kishte vazhduar, ku më 7 korrik 2020, dy të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje.

Ndryshe, lidhur me këtë rast emisioni “Betimi për Drejtësi”, më 26 janar 2019, kishte transmetuar një hulumtim, në të cilin ishte trajtuar çështja e asgjësimit të armës me të cilën dyshohej se ishte kryer vepra penale ende pa u ngritur aktakuza. (Shih linkun)

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve. Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provoi nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra ndërron jetë në QKUK.