Dështon që në start zbatimi i Marrëveshjes për “Mbrojtjen Civile”

Veriu i Kosovës i banuar me serbë ka qenë nën vëzhgimin e pjesëtarëve të organizatës paramilitare Mbrojtja Civile, edhe të hënën. Kurrkush nuk i ka penguar në aktivitetin rutinë ilegal. Kësisoj, ata vëzhgojnë pothuajse të gjitha hyrje-daljet e secilit individ dhe automjet që kalon në drejtimin jug-veri dhe anasjelltas.

Lajme

21/04/2015 08:51

Marrëveshja e arritur në fund të marsit midis Kosovës e Serbisë, e ndërmjetësuar nga Brukseli, pos tjerash, parasheh që tri pikat vëzhguese të Mbrojtjes Civile në rrugën midis Mitrovicës dhe Jarinjës, të largohen nga rruga deri më 20 prill, derisa pika e vëzhgimit që ndodhet në pjesën veriore të urës kryesore në Mitrovicë t’i dorëzohet Policisë po ashtu deri më 20 prill.

Procesi, sipas kësaj marrëveshjeje, monitorohet dhe verifikohet nga Policia dhe EULEX-i, shkruan Koha Ditore.

“Secila mundësi e vëzhgimit, përfshirë pajisjet teknike dhe qendrën e situatave, do të largohet dhe/ose do t’i dorëzohet Policisë së Kosovës deri më 20 prilli të vitit 2015”, thuhet në këtë marrëveshje.

Por, refuzimi për t’iu bindur marrëveshjes ka dalë pas një takimi që përfaqësues ilegalë të serbëve e kanë zhvilluar në fund të javës së shkuar, në zyrën e Kosovës pranë Qeverisë së Serbisë, e cila e ka selinë në Mitrovicën Veriore. Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq. Aty kanë qenë edhe kryetari legal dhe ai ilegal i Mitrovicës Verirore, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq si dhe vetë shefi i Mbrojtes Civule, Stevo Paviçerviq.

Autoritetet vendëse e ndërkombëtare e kanë hequr përgjegjësinë përkitazim me dështimin për t’i rrëzuar pikat e vazhdimit, duke ia adresuar dikujt tjetër përgjegjësinë. Në rajonin policor në Mitrovicën veriore, e cila përfshinë katër komuna të banuara me serbë, ku  operon Mbrojtja Civilem nuk janë deklauar fare.

Besim Hoti, zëvendëskomandant në këtë rajon, ka sugjeruar që përgjigje të kërkohen në Drejtorinë e Përgjithshme në Prishtinë.