Dështimi i miratimit të subvencionimit në Kuvendin e Prishtinës, KRM “Pastrimi” reagon ndaj Përparim Ramës

Ndërmarrja rajonale e pastrimit “Pastrimi” ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e akuzuar atë për pengim të vazhdueshëm të punës së ndërmarrjes. Sipas reagimit zyrtar të “Pastrimit”, Kryetari Rama ka nisur muaj më parë një proces të cilësuar si të jashtëligjshëm për privatizimin e shërbimeve të…

Lajme

06/05/2025 17:06

Ndërmarrja rajonale e pastrimit “Pastrimi” ka reaguar ndaj veprimeve të fundit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e akuzuar atë për pengim të vazhdueshëm të punës së ndërmarrjes.

Sipas reagimit zyrtar të “Pastrimit”, Kryetari Rama ka nisur muaj më parë një proces të cilësuar si të jashtëligjshëm për privatizimin e shërbimeve të pastrimit, përmes shpalljes së tenderëve.

Po ashtu, ndërmarrja e akuzon kryetarin Rama se ka bërë thirrje publike që pagesat për shërbimin e pastrimit të bëhen në Komunë e jo drejtpërdrejt në ndërmarrje.

KRM “Pastrimi” thekson se pavarësisht thirrjeve të Kryetarit Rama për subvencionimin e ndërmarrjes – përfshirë një video të publikuar së fundmi – ai dhe asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë lëshuar sallën gjatë seancës së Kuvendit Komunal, duke pamundësuar kështu votimin e subvencionit të propozuar.

“Vet bën thirrje për subvencion të ndërmarrjes, dhe vet e pamundëson votimin në Kuvend Komunal”, thuhet në reagim.

“Pastrimi” po ashtu njofton se Komuna e Prishtinës i ka një borxh prej 2.7 milionë euro ndaj ndërmarrjes. Ata e kanë akuzuar Kryetarin Rama se në vend që të angazhohet për zgjidhje konkrete për qytetin, ka vendosur të bëjë politikë me një nga problemet më të mëdha të kryeqytetit.

Drejtuesit e ndërmarrjes kanë paralajmëruar pasoja serioze për operimin e saj në mungesë të përkrahjes së Komunës – duke përfshirë vonesa në paga për punëtorët dhe mungesë të karburanteve për kamionët e pastrimit.

Megjithatë, menaxhmenti i “Pastrimit” thekson se ndërmarrja vazhdon të jetë ndër më të suksesshmet në vend, duke cituar raportin e Auditorit të Përgjithshëm që e rendit atë ndër tri ndërmarrjet më të mira publike në menaxhim në Kosovë.

Në fund të reagimit, “Pastrimi” ka ftuar publikisht Kryetarin Rama në një takim bashkëpunues për të diskutuar zgjidhje të përbashkëta për të mirën e qytetarëve dhe të punëtorëve të ndërmarrjes.