Dështimi i ‘Kosova e Re’

Fatkeqësisht, rryma nuk bëhet dot me fjalë të kota. Sepse kështu me siguri që do të ishim të parët në këtë pjesë të Evropës. Dhe më gjerë.

Opinion

13/11/2013 11:58

Çfarë është dashur të jetë: Raporti i 12 nëntorit, 2013, për prodhimin e energjisë në Kosovë.

‘Kosova e Re’, e cila solemnisht u inaugurua para një muaji, ka mbërri nivelin e planifikuar prej 2100 MW energji. Së bashku me dy blloqet e Kosovës B, dhe dy të tjerë të Kosovës A që ende janë në përdorim, tregut energjetik të Republikës së Kosovës i janë dhënë tërësisht 2900 MW rrymë.

Për Kosovën janë dedikuar 1300 MW, ndërsa për eksport, pjesa e mbetur prej 1600 MW.

Shteti i Kosovës është bërë, kështu, shtet me stabilitet afatgjatë në furnizimin me rrymë dhe për më shumë, ka siguruar të hyra shumë të mira prej eksportit të rrymës në rajon.

Siç dihet, investimet ndërkombëtare në Projektin ‘Kosova e Re’ kapin shumën prej 2.5 miliardë Euro, që është investimi më i madh në Kosovë që prej shpalljes së pavarësisë, më 2008.

Çfarë është, në realitet: Këshilli Drejtues i Projektit ‘Kosova e Re’ ka vendosur që ky Projekt të reduktohet në ndërtimin e dy blloqeve me kapacitet të përbashkët prej 600 MW, që do të jetë investim krejtësisht privat. Miniera e Sibovcit (me miliardë tonë linjit), nuk do të jetë më pjesë e Pakos tenderuese.

Ndryshe, Kosova edhe sot e gjithë ditën ka telashe serioze me furnizimin me rrymë, dhe ka deficit sinjifikativ në kapacitetet energjetike.

Pa stabilizim në prodhimin e energjisë, nuk mund të ketë stabilitet të mirëfilltë politik, ekonomik, social.

Jose Saramargo, nobelisti portugez i letërsisë, në librin e tij të fundit, të bërë pak para vdekjes, në mes të tjerash shkruan: “Demokracia është një sistem shoqëror ku mund të thuash çfarë të duash, me kusht që të mos flasësh për atë thelbësoren…”.

Përkthyer në të përditshmen kosovare, në këtë nëntorin midis dy rrathëve zgjedhorë, kjo do të thotë që shumë pak veta në Kosovë do të flasin për dështimin më të madh të shtetit të Kosovës, të shoqërisë dhe të politikës kosovare, në gjashtë-shtatë vjetëve të fundit, i cili bën që shteti i dytë më i pasur në Botë me linjit, sot e kësaj dite të mos prodhojë rrymë sa duhet, për ta rehatuar veten, dhe për të fituar para shumë të mira nga shitja e saj në këtë pjesë të Evropës.

Vendimi për Projektin ‘Kosova e Re’, fillimisht me kapacitet prej 2100 MW, ishte planifikuar të merret në vitin 2007, ashtu që gjashtë vjet më vonë, Kosova të arrijë stadin e prodhimit të energjisë që do ta bënte atë një shtet të qëndrueshëm, në këtë segmentin kapital të kapaciteteve energjetike.

Prej atëherë, e deri sot, janë marrë pesë vendime, një pas një, secili më dëshpërues se tjetri:

Së pari, emri origjinal i Projektit, ‘Kosova C’, në vitin 2008, është ndryshuar në ‘Kosova e Re’.

Së dyti, kapacitetet e synuara prodhuese të ‘Kosova e Re’, prej 2100 MW, janë reduktuar në 600 MW, gjë që nuk mjafton as për të përmbushur nevojat reale të vendit për energji.

Së treti, është bërë Pakoja Gjithëpërfshirëse për tenderim, e cila ka nënkuptuar ndërtimin e dy blloqeve të reja  (sërish, 600 MW), privatizimin e Kosovës B dhe investimin në Minierën e Sibovcit.

Së katërti, Pakoja u ri-modelua, ashtu që Kosova B u hoq prej saj.

Së pesti dhe së fundit (tash për tash), Pakoja u ri-komponua, duke heq tani edhe investimet në Sibovc, duke mbetur vetëm ndërtimi i kapaciteteve të energjisë prej 600 MW.

Në variantin më të mirë, këto kapacitete, Kosova mund t’i ketë në vitin 2019. Dhe as atëherë, ato nuk garantojnë qëndrueshmërinë në energjetikë.

Ndërsa pa stabilizim në prodhimin e energjisë, nuk mund të ketë stabilitet të mirëfilltë politik, ekonomik, social.

Dhe kështu me radhë.

Çfarë ka ndodhur dhe çfarë nuk është bërë në ndërkohë, mbase, flet më së miri se çfarë gabimesh, të vogla, të mesme, të mëdha, me pasoja njëlloj tepër të këqija, janë rreshtuar në vendimmarrjen e autoriteteve të Kosovës.

Qyshdoqoftë, pra, jemi kurrqysh në punën e rrymës, ndërsa si është thënë shpeshherë, flemë mbi linjitin që vlen së paku 70 miliardë Euro.

Kemi shkruar, kemi debatuar dhe kemi folur shumë për këtë punë prej vitit 2007 e këndej.

Kemi zbuluar mullinjtë e erës që prodhojnë rrymë sa ‘Kosova e Re’ dhe gjëra të ngjashme.

Fatkeqësisht, rryma nuk bëhet dot me fjalë të kota. Sepse kështu me siguri që do të ishim të parët në këtë pjesë të Evropës. Dhe më gjerë.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)