Dështimi i hekurudhës: Kosto të larta, rezultate të pakta

Nga viti 2010 deri më 2017, Valon Aliu nga fshati Kojskë, komuna e Lipjanit, udhëtonte çdo ditë me tren. Fillimisht, për të ndjekur mësimet në shkollën e mesme në Lipjan, e më pas për të vazhduar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës (UP). Ai tregon se treni ka qenë i vetmi mjet transporti…

Lajme

02/06/2025 15:08

Nga viti 2010 deri më 2017, Valon Aliu nga fshati Kojskë, komuna e Lipjanit, udhëtonte çdo ditë me tren.

Fillimisht, për të ndjekur mësimet në shkollën e mesme në Lipjan, e më pas për të vazhduar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës (UP).

Ai tregon se treni ka qenë i vetmi mjet transporti publik në fshatin e tij.

“Fshati ynë është më pak se 10 kilometra larg nga qyteti i Lipjanit dhe nuk ka linjë autobusi. Treni vinte tri herë në ditë, stacionin e kam pasur afër dhe vazhdimisht e kam shfrytëzuar për udhëtim. Ishte deri në 30 për qind më i lirë krahasuar me mjetet e tjera”, thotë ky 30-vjeçar.

Por, në vitin 2020, gjithçka ndryshoi.

Qarkullimi i trenit u ndërpre dhe, bashkë me të, edhe mundësia për transport publik.

Në mungesë të alternativave, Valoni u detyrua të blejë një veturë për të shkuar çdo ditë në vendin e tij të punës – në një bankë komerciale në Lipjan.

Megjithatë, shpresa për rikthimin e trenit mbetet e gjallë.

“Në momentin që treni të jetë sërish funksional, do të vazhdoj të udhëtoj me të. Ka shumë arsye për këtë: është një udhëtim komod, i sigurt, më ekonomik dhe më i shpejtë. Arrin gjithmonë në kohë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë (REL).

Pse u ndal treni?

Linja Fushë Kosovë – Hani i Elezit, që kalon përmes disa fshatrave të Lipjanit dhe që e përdorte Valoni, është ndërprerë për shkak të modernizimit të hekurudhave.

Kjo linjë është pjesë e të ashtuquajturës Linja 10 hekurudhore, me gjatësi prej 149 kilometrash, që përfshin segmentet: Fushë Kosovë – Hani i Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, dhe Fushë Kosovë – Mitrovicë – Leshak, në kufi me Serbinë.

Të dy segmentet ndërkufitare janë aktualisht jashtë funksionit. Ky është rrjeti i vetëm që e lidh Kosovën me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Punimet për rehabilitimin e kësaj linje nisën në vitin 2019, ndërsa qeveria e atëhershme pati premtuar se ato do të përfundonin në vitin 2021.

Por, as tash, në vitin 2025, kjo linjë nuk është afër përfundimit.

Dhe, sipas një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), është e pamundur të përfundojë as në vitin 2027, për shkak të zgjatjes së afateve nga autoritetet përgjegjëse.

Çfarë thotë raporti i Auditimit?

Në raportin e publikuar në marsin e 2025-tës për projektin “Rehabilitimi i linjës 10 hekurudhore Hani i Elezit – Leshak”, ZKA-ja tregon se marrëveshja financiare për këtë projekt ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016, ndërsa kontrata e parë për punime u nënshkrua më 2019.

Por, deri më tani janë përfunduar vetëm 60 për qind e fazës së parë (Fushë Kosovë – Hani i Elezit), 32 për qind e fazës së dytë (Fushë Kosovë – Mitrovicë), kurse faza e tretë (Mitrovicë – Leshak) nuk ka nisur ende.

Ndërkohë, ndërtimi i 14 urave metalike, që ishte paraparë fillimisht, është hequr nga kontrata.

Shkaqet për vonesat, sipas ZKA-së, janë: komunikimi i dobët ndërmjet palëve, mungesa e ekspertëve në terren, ndryshimet e shpeshta të kontratave, si dhe kërkesat për financime shtesë.

Megjithëse afati i përfundimit është shtyrë deri në vitin 2027, sipas ZKA-së, ritmi aktual i punimeve lë pak hapësirë për optimizëm.

Deri më tash janë shpenzuar 92.3 milionë euro nga 250 milionë sa është vlera e projektit, i cili financohet përmes kredive dhe granteve ndërkombëtare.

Kompania italiane, Generale Costruzioni Ferroviarie (GCF), është kontraktuar nga Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës (INFRAKOS) për të realizuar punimet, ndërsa janë përfshirë edhe nënkontraktorë vendorë.

INFRAKOS, që operon në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për shkaqet e vonesave, por në letrën e konfirmimit ndaj ZKA-së është shprehur se “pajtohet me gjetjet dhe rekomandimet e raportit.”

Edhe Ministria e Ekonomisë është përgjigjur në të njëjtën mënyrë.

Aktualisht, linja e vetme funksionale është ajo ndërmjet Prishtinës dhe Pejës, me trenat tashmë të vjetruar.

“Mungesa e vullnetit politik po e mban Kosovën pa hekurudha”

Sadullah Avdiu, inxhinier në pension dhe ish-profesor i Projektimit të Hekurudhave në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të UP-së, thotë se 17 vjet pas pavarësisë, është e paimagjinueshme që Kosova nuk ka arritur të funksionalizojë sistemin hekurudhor.

“Po të ekzistonte vullneti, mjetet janë. Që gati dhjetë vjet është marrë kredia – ka edhe grante. Por, nuk e kanë prioritet dhe nuk e kuptojnë rëndësinë e hekurudhave”, thekson Avdiu.

Sipas Avdiut, mungesa e rrjetit hekurudhor ka rënduar trafikun rrugor, ka sjellë vonesa dhe ka shtuar aksidentet.

Ai thekson se pas liberalizimit të vizave për në zonën Schengen, më 1 janar 2024, krijimi i një lidhjeje të mirë hekurudhore me vendet e Bashkimit Evropian (BE) është edhe më i domosdoshëm.

“Prej kësaj periudhe është rritur fluksi i udhëtimeve drejt BE-së, dhe udhëtimi me tren do të ishte alternativa e duhur dhe me kosto më të ulët, për studentë, punëtorë sezonalë apo edhe familjarë që vizitojnë të afërmit e tyre”, tha ai për REL-in.

Hekurudha Kosovë – Shqipëri

Edhe pse linja e vjetër nuk është përfunduar, Kosova tashmë synon të lidhet përmes një hekurudhe të re me Shqipërinë.

Më 15 prill, në Shqipëri u publikua projekti i linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, e cila parashihet të kalojë nga Shkodra, në Gjakovë dhe në fund në Prishtinë.

Sipas studimit të përbashkët të fizibilitetit, kjo linjë do të jetë 105 kilometra e gjatë, me 14 tunele dhe shtatë stacione, ndërsa kostoja e përgjithshme llogaritet mbi 1.8 miliard euro.

Ministria e Infrastrukturës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me atë sa kilometra do të jenë në territorin kosovar, dhe se cila është kostoja që do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës. REL