Dështimet e njëpasnjëshme të LVV-së për të konstituuar kuvendin – Çfarë e pret Kosovën “gjendje e jashtëzakonshme”, apo zgjedhje të reja?
E para e vendit, Vjosa Osmani kishte caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të…

Lajme
E para e vendit, Vjosa Osmani kishte caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, thuhej në njoftimin për media.
Kjo seancë do të udhëhiqej nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë, ku parashihej të zgjedhë më pas kryetarin dhe pesë nënkryetarët – pra Kryesinë.
“Kryeparlamentari propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit (61). Tre nënkryetarët propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen po ashtu me shumicë votash të të gjithë deputetëve, ndërsa dy nënkryetarët tjerë janë nga radhët e komuniteteve joshumicë. Edhe ata zgjidhen me shumicë votash të të gjithë deputetëve”.
Pas konstituimit të Kuvendit nis procedura për formimin e Qeverisë. Sipas Kushtetutës, presidenti duhet t’ia propozojë Kuvendit emrin e kandidatit për kryeministër, në konsultim me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën.
Në këtë rast, nga zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më i madh.
Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit janë certifikuar më 27 mars dhe Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse, pasuar nga Partia Demokratike me 24 ulëse, Lidhja Demokratike me 20 dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 ulëse ndërsa minoritetet kanë 20 ulëse.
Krejt kjo procedurë do të duhej ta ndiqte nga pas Lëvizjen Vetëvendosje, por një gjë e tillë po shihet si e pamundur.
Kuvendi i Kosovës, të martën e 15 prillit, dështoi në tentativën e parë të konstituojë përbërjen e legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.
Deputetët e zgjedhur nuk arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, votuan kundër raportit, për shkak se, sipas tyre, anëtarët e Qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – nuk i kishin dorëzuar me kohë dorëheqjet e tyre nga postet ekzekutive, siç parashihet me Ligjin për Qeverinë.
Neni 26 i këtij ligji përcakton që anëtarët e ekzekutivit, të cilët janë zgjedhur deputetë, duhet të japin dorëheqje nga postet në ekzekutiv një ditë para certifikimit të tyre nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet, më 15 prill i dërgoi kryetarit të legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Glauk Konjufca, një letër me njoftimin për dorëheqje, e cila sipas tij ishte efektive që nga 27 marsi, kur ai e ka njoftuar KQZ-në se “ekzekutivi është në detyrë/dorëheqje”.
Më 17 prill, u thirr seanca e dytë, por që deputetët dështuan sërish të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Por, pas konsultimit, ai tha se nuk ka konsensus se si të vazhdohet tutje, duke njoftuar se seanca do të vazhdojë më 19 prill në orën 12:00.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.
Teksa këto parti vazhduan të insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës- që kanë dhënë dorëheqje me qëllim që të betohen si deputet, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, pasi argumenton se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.
Pas dy dështimeve, u arrit të bëhet betimi i deputetëve të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Me 119 vota për ka kaluar raporti për verifikimin e mandatave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Teksti i deklaratës së betimit:
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”
Më këtë rast Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, por nuk u miratua. Vetëm 57 deputetë votuan pro emërimit të saj.
Një tentativë e katërt ishte thirrur më datë 21 prill, duke ndryshuar tashmë kohën në ora 15:00, por që dështoi edhe në përpjekjen e katërt, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi kohë për të arritur marrëveshje politike për emërimin e kandidates së saj, Albulena Haxhiu, si kryetare të Kuvendit.
Sapo nisi seanca të hënën pasdite, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ftoi Lëvizjen Vetëvendosje ta propozojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit si parti fituese.
Por, deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.
“Meqenëse e kemi pa që të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar se do ta kishin qëndrimin e njëjtë edhe në këtë seancë, mendoj që kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje politike. Ashtu siç votohen nënkryetarët e Kuvendit, atë koncept duhet ta kishte edhe kryetari i Kuvendit”, tha Konjufca.
Kryesuesi Dehari e ndërpreu seancën menjëherë dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve, pra të mërkurën e 23 prillit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kontestuan ndërprerjen e seancës, dhe akuzuan partinë fituese se po bllokon konstituimin duke mos e ndërruar emrin e propozuar për kryeparlamentar.
Një tjetër dështim u pa të mërkurën e 23 prillit, kjo pasi deputeti i zgjedhur, njëherësh nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca kishte thënë se ata propozojnë sërish për kryetare të Kuvendit, deputeten Albulena Haxhiu.
Mirëpo meqë e njëjta nuk ka marrë votat në seancën e kaluar, ai tha se zgjedhja e saj pa marrëveshje politike nuk duhet të hidhet sërish në votim.
Kështu edhe në seancën e radhës deputetët dështuan në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.
Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.
Albulena Haxhiu, për herë të katërt, i mori vetëm 57 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjidhur.
Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.
Vazhdimi i seancës konstituive u vendos të mbahet më 27 prill në orën 10:00.
Deputetët u mblodhën mëngjesin e 27 prillit me qëllim për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, pas shumë tentimesh të dështuara, as në atë ditë nuk u arrit dakordësia.
Tashmë u arrit tentativa e tetë e ku tetë herë u mblodhën, por çdo herë dështuan ta çojnë në fund konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e rinj nuk po arrijnë të gjejnë mirëkuptim për votimin e kryetarit të ri të Kuvendit.
Derisa e propozuara për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk po i merr votat e nevojshme, qytetarët po fajësojnë të gjitha palët që s’po gjejnë konsensus.
Ndërsa, nga PDK, LDK e AAK kanë deklaruar se mbesin në qëndrimet e njëjta. PDK e AAK kanë kërkuar nga LVV-ja të propozojë një emër tjetër në vend të Haxhiut duke e cilësuar atë si figurë përçarëse.
Kurse, LDK-ja ka qëndrim se nuk e voton asnjë kandidatë të propozuar nga LVV-ja.
Të enjten e 1 maj, do të mbahet përpjekja e nëntë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, proces që po zvarritej prej më shumë se dy javësh.
Ndryshe një ndryshim këtë tentim të radhës ishte se në orën 08:30 pritej të mbahet takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ftesa e Kurtit për takim ishte dërguar edhe për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, mirëpo kjo parti e ka refuzuar pjesëmarrjen, duke e cilësuar procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve si të garantuar me Kushtetutë dhe jashtë çdo diskutimi politik.
Me të filluar seanca, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari sugjeroi se forma më e duhur për të hapur rrugën për konstituimin e Kuvendit është përdorimi i votimit të fshehtë me fletëvotime fizike.
“Me qëllim të hapjes rrugë për zhbllokimin e procesit konsideroj që forma e duhur që mund të hapë rrugë për konstituimin e kuvendit është në mëynrë të fshehtë me fletëvotime fizike”, tha kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari.
Por, kjo mënyrë e votimit u kundërshtua nga të gjitha partitë, përveç Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partia Demokratike turke e Kosovës.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së tha se ky vendim është i papranueshëm duke treguar se nuk do të marrin pjesë në votim.
“Kjo është e paprecedent nuk ka ndodhur sikur të kishit vendosur ndoshta edhe do të ishte e pranueshme, kjo nuk është e pranueshme iu ftoj të mos e thelloni krizën, por të dilni nga kriza sepse iu takon ta propozoni dikë që njëmend i merr votat dhe ju e dini që ka në mesin tuaj të tillë. Andaj mos e thelloni krizën, zhbllokojeni, sepse nuk meritojnë qytetarët e Kosovës për shkak të tekeve tuaja me kthye Kuvendin në cirk. Nëse doni ta thelloni, e thelloni tutje, e dini që po kërkoni precedent antikushtetues, e dini që në rastin pamundshëm që e keni me rrëzua, iu rrëzohet në të ardhmen. Ne nuk marrim pjesë në një votim të tillë imponues as nuk propozojmë komision, ne do t’iu vëzhgojmë dhe do t’iu shohim dhe do të bëhemi dëshmitarë”, ka thënë Krasniqi.
Arbitrar e të paprecedent e vlerësuan edhe nga LDK-ja, të cilët paralajmëruan se nëse ndodh një gjë e tillë, do t’i adresohen edhe Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i Kosovës nuk arriti të bëjë përparim as në përpjekjen e dhjetë për konstituimin e plotë të tij, pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk mori mbështetjen e nevojshme.
Ky komisioni po parashihet që të organizoj pastaj votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e seancës duke shtuar se ajo do të vazhdojë të hënën në orën 10:00.
Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Dështimi i radhës ndodhi pak para se të bëhej e ditur që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.
Në vazhdimin e seancës konstituive, të hënën, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Seanca konstituive e 12-ta me radhë do të vazhdojë të mërkurën, e 7 majit në orën 10:00.
Për herë të 12-të ka arritur të dështojë përsëri konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi nuk është arritur të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit.
Duke proceduar me rendin e ditës, kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, kërkoi serish nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë.
Seanca ndërpritet, shihemi më 9 maj ora 10:00”, tha Dehari.
Vendi vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar sërish – në përpjekjen e tyre të trembëdhjetë – ta konstituojnë Kuvendin e ri.
Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të premten kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të dielën në mëngjes.
Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.
Dështimi i radhës ndodhi të dielën, kur kanë kaluar tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të dielën kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të martën në mëngjes.
Në seancën e së dielës u pa edhe një mungesë më e theksuar e deputetëve, pasi të pranishëm ishin vetëm 92 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.
Sot është arritur hera e 15-të, kur deputetët u mblodhën për të arritur konstituimin e kuvendit, por ndodhi përsëri dështimi i radhës.
Ligjbërësit refuzuan për të shtatën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Dështimi i radhës ndodhi një ditë pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dërgoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
“Nuk kemi kuorum shihemi më 15 maj në ora 10:30”, deklaroi kryesuesi Dehari.
Çfarë në rast se nuk ka kompromis ndërmjet partive politike?
Mungesa e marrëveshjeje eventuale ndërmjet partive politike që do ta zgjidhte situatën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do ta thellonte edhe më tej ngërçin institucional.
Ndryshe për këtë reaguan edhe njohë të çështjeve politike duke theksuar se nëse LVV-ja nuk propozon emër, atëherë kjo mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për të imponuar kandidat dhe, aq më pak, për të bllokuar konstituimin e Kuvendit.
Por, të drejtën për t’iu drejtuar për çështje të caktuara Gjykatës Kushtetuese e kanë vetëm presidentja e Kosovës, avokati i popullit dhe Kuvendi i Kosovës
Megjithatë, ndërhyrja e presidentes në këtë rast është vetëm një lloj ndërmjetësimi ose ftese për partitë politike që të merren vesh për ta çuar në fund procesin e konstituimit të Kuvendit.
Lidhur më këtë bllokim i cili po ndodh në Kuvend, Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit.
Osmani tashmë ka dërguar ftesat për takimet e para me liderët e partive politike.
“Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet.” – tha Bekim Kupina nga Zyra e Presidencës.
Takime këto të thirrura për të enjten, e mesa duket Presidentja do të mbajë takim veç e veç me secilën parti, ndërsa sot para se të hynte brenda sallës plenare, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj tha se nuk ka marrë ende asnjë ftesë nga e para e vendit.
A është bërë ndërrimi i kandidatëve në raste të tilla edhe në vendet tjera?
Anipse Amerika, aleati më i madh dhe i rëndësishëm i Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar kishte zgjedhjet presidenciale ku në garë për të parin e shtëpisë së bardhë ishte
Donald Trump dhe Joe Biden, ku ky i fundit kishte vendosur të tërhiqej nga gara.
Biden kishte theksuar se kjo gjë “është në interesin më të mirë të partisë demokratike dhe të vendit”. Njëkohësisht ai pati deklaruar se mbështet zëvendëspresidenten aktuale Kamala Harris si kandidate për presidente e Partisë Demokratike.
Por krejt ky vendim personal i tij kishte ardhur pasi Biden ishte përballur për javë të tëra me një presion në rritje nga radhët e demokratëve dhe nga personalitete të tjera për t’u tërhequr nga gara, pas performancës së dobët në debatin kundër kandidatit republikan për president Donald J. Trump.
Një gjë e tillë u përmend edhe sot në hollin e kuvendit të Kosovës, nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se një gjë e tillë e cila u mundësua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), mund të ndodh edhe në vendin tonë.
Përkundër Lidhjes Demokratike të cilët janë shprehur kundër çdo kandidati të LVV-së të propozuar nga për kryeparlamentar, nga PDK-ja janë shprehur më optimist të cilët kanë kërkuar të ndërrohet vetëm kandidati aktual e cila është Albulena Haxhi, ish-ministrja e Drejtësisë.
Çfarë thonë njohësit e çështjeve politke për këtë situatë të krijuar në Kosovë?
Për këtë çështje, lajmi.net, ka kontaktuar me Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili thotë se arritja e një marrëveshjeje politike për zhbllokimin e situatës aktuale varet në masë të madhe nga vullneti politik i Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
“Është fakt se kjo parti nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit pa mbështetjen e subjekteve tjera parlamentare. Rrjedhimisht, bashkëpunimi me partitë e tjera është i domosdoshëm nëse synohet zgjedhja e kryeparlamentarit dhe më pas formimi i Qeverisë”, thotë Jakaj.
Teksa thotë se çështja e ndërrimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit mund të trajtohet si pjesë e një marrëveshjeje politike të gjerë, që do të kishte për qëllim stabilizimin e institucioneve dhe rifillimin e punës së institucioneve.
“Në të kaluarën, Vetëvendosje ka dëshmuar se është e gatshme për marrëveshje të tilla, përfshirë edhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me dakordim ndërpartiak, dhe nuk ka arsye që tani të përjashtohet kjo mundësi nëse kjo bëhet pjesë e ndonjë marrëveshje politike”, ka theksuar tutje ai.
Se a mund të ballafaqohet Kosova me një shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, Jakaj jep një përgjigje për këtë: “Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk është mjet i përshtatshëm e as i duhur për të zgjidhur krizën politike të krijuar nga mungesa e vullnetit për marrëveshje. Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh përdorimin e kësaj mase si rrugëdalje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit”.
Përkundrazi siç thotë ai një veprim i tillë do të përbënte një precedent të rrezikshëm që cenon parimet themelore të demokracisë.
“Siç e ka theksuar në vazhdimësi edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Presidentja ka rol të kufizuar në këtë proces. Ajo nuk ka autorizim kushtetues për të imponuar marrëveshje apo për të ndërhyrë në zgjedhjen e kryeparlamentarit. Megjithatë, duhet përshëndetur përpjekja e saj për të ndërmjetësuar një dialog ndërpartiak, pavarësisht kufizimeve ligjore që i ka funksioni i saj”, shprehet Jakaj.
Ndryshe siç thotë Jakaj, pas 15-të, tentativa të dështuara për tu arritur konstituimi i Kuvend, besimi i qytetarëve në institucionet përfaqësuese, siç është Kuvendi, është goditur rëndë, pasi siç tregon ai qytetarët që votojnë, ata presin që institucionet të funksionojnë, jo të bllokohen për shkak të llogaritjeve të ngushta politike.
“Për më shumë, kjo situatë e krijon më pas edhe ndjesinë se vullneti i tyre elektoral është i pavlefshëm, çka mund të çojë në rritje të apatisë politike dhe rënie të pjesëmarrjes në proceset demokratike në të ardhmen”, ka theksuar mes tjerash Jakaj.
Sipas Jakaj bllokimi i Kuvendit, e ka dëmtuar rëndë reputacionin e Kosovës si një shtet funksional dhe demokratik. Derisa tregon se një nga pasojat më të drejtpërdrejta është dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, “një rast historik i humbur që ishte në dorën e vet institucioneve tona”.
Ai përmend edhe planin e brendshëm, teksa thotë se ky ngërç ka ngrirë funksionimin e të gjitha institucioneve qendrore, duke përfshirë edhe mosangazhimin për përballimin e krizës sociale dhe ekonomike.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike pritet të sjellë pasoja zinxhirore, përfshirë rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, që do të rëndojnë jetesën e qytetarëve me të ardhura të ulëta. Pensionistët, të cilët përballen tashmë me pensione të pamjaftueshme, do të preken drejtpërdrejt nga mosndërmarrja e masave mbështetëse. Grupet e margjinalizuara, si personat me aftësi të kufizuara, nënat vetushquyese dhe familjet me ndihmë sociale, po mbeten pa përfaqësim efektiv dhe pa mbështetje nga shteti. Zyrtarët publik që kanë kërkesa legjitime për paga më të drejta dhe kushte më të mira pune, e kur kësaj I shtohet edhe mungesa e zbatimit të Aktgjykimit për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, e rëndon edhe më shumë gjendjen socio-ekonomike. Prandaj, kërkohet urgjentisht kompromis dhe maturi politike, në mënyrë që të ruhet stabiliteti institucional dhe besimi i qytetarëve në demokracinë e vendit”, ka thënë Jakaj. /Lajmi.net/