Dëshmitari thotë se për vdekjen e Liridona Ademajt e kishte kuptuar nga një shok i tij

Në sesionin e pasditës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar Kanon Kokalla. Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”. Dëshmitari Kokalla, në fillim të dëshmisë para trupit gjykues, deklaroi se është në…

Lajme

10/10/2025 19:52

Në sesionin e pasditës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar Kanon Kokalla.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Kokalla, në fillim të dëshmisë para trupit gjykues, deklaroi se është në marrëdhënie familjare me të akuzuarit Kokalla dhe Murseli, ndërsa të akuzuarin Plava e ka bashkëfshatar.

Kokalla theksoi se të akuzuarin Plava e kishte shok të gjeneratës, ndërsa së fundmi kishte qenë i ftuar në ditëlindjen e djalit të tij. Por, dëshmitari theksoi se të akuzuarin Murseli nuk e kishte takuar kohëve të fundit, për shkak të punës.

“Unë jo që s’kom mujt me Naimin, po as me familjen teme, se unë punoj në Mitrovicë të Veriut me orar 24 orë. Fëmijët e mi i kom pas mall me i taku e me nejt me ta”, tha Kokalla.

Tutje, i pyetur lidhur me sjelljet e vëllait të tij, tani të akuzuarit Kokalla, dëshmitari tha se ai ishte pjesëtar i FSK-së.
“Për faktin se ka qenë pjesëtar i FSK-së, do me thënë se ka qenë djalë i sjellshëm”, tha Kokalla.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues theksoi se janë të tronditur edhe sot.
“Që jemi të tronditur nuk e mohoj, se është edhe sot e njëjta situatë”, tha ai.

Ndërsa, i pyetur se si kishte kuptuar për vdekjen e tani të ndjerës Liridona Ademaj, dëshmitari tha se këtë e kishte kuptuar nga një shok i tij.

“Një shok më shkruan në Facebook e më thotë: ‘Qy, e paskan vra gruan e Naimit’.”

Në fund, dëshmitari Kokalla tha se shpreson që të bëhet më e mira.

“Vetëm shpresoj të bëhet më e mira dhe më e drejta”, tha ai.

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.