Dëshmitari Henry Moore

Artisti tiranas, Maks Velo, këtyre ditëve po e përmend me kënaqësi emrin e njërit prej kryeskulptorëve të shekullit XX, Henry Moore. Paradoksalisht, dekada më parë, ky emër ishte pjesë e aktakuzës të cilën regjimi shqiptar e kishte ngritur kundër Velos.

ShowBiz

17/09/2013 11:22

Një grua e shtrirë mbart brenda saj më shumë se një magji. Në studion e tij në Londër, Henry Moore kërkonte t’u jepte jetë imazheve të femrave që i kishte parë ashtu të shtrira në një shtrat të prishur bri dritares, teksa Londra qullej në shi. Kërkonte të rikrijonte në trupat e tyre gjithë dashurinë apo zhgënjimet e një jete që ato i kishin treguar në takime, apo të grave të tjera që kishte njohur dikur… Një grua ka gjithnjë një histori brenda trupit të saj dhe këtë Moore mundohej ta zbulonte.

Henry Moore, një nga skulptorët më të rëndësishëm të shekullit XX, prej disa ditësh ndodhet i ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë. Në morinë e skicave të ekspozuara janë dhe disa nga cikli “Nëna dhe fëmija”. Artisti Maks Velo  e ka parë me kujdes këtë prezantim të Moore në kryeqytetin shqiptar, gati 44 vjet nga koha kur ai u njoh për herë të parë me një vepër të tij.

Në Shqipërinë komuniste, atëherë rreth të 30’ave, Velo e ruante me kujdes një katalog në anglisht, i cili kishte disa imazhe të skulpturave të Moore, dhuruar nga Pjetër Rodiqi, më 1972. Për djaloshin që adhuronte artet, kjo lloj skulpture ishte më shumë se një inspirim. Por, imazhet e Moore, ashtu si dhe shumë piktura të realizuara prej tij në atë kohë, do të sekuestroheshin nga policia pas arrestimit.

Në një intervistë për Gazetën Shqip, Velo ka thënë se emri i Moore ishte dhe në aktakuzën e ideuar për arrestimin. Por, pavarësisht burgut, kohëve të errëta në jetën e tij, Maks Velo e “takoi” sërish Moore, por këtë herë në Paris, në vitin 1992, kur pati rastin të shihte një ekspozitë gjigante në natyrë me 36 skulptura të tij.

Velo para skulpturës së Moore, në Paris, 1992.

Henry Moore njihet gjerësisht si një nga figurat krijuese më vitale të artit britanik dhe atij botëror të shekullit XX. Duke dalë me zgjuarsi nga mosnjohja relative e lëvizjes radikale moderniste në Angli, në vitet 1920, Moore me shpejtësi e pozicionoi veten si një nga artistët më interesantë britanikë pas Luftës së Parë Botërore. Në fund të jetës së tij dhe sidomos pas vdekjes, Moore konsiderohej si një gjigant i kulturës botërore, vepra e të cilit ishte sinonim i skulpturës moderne në shekullit XX.

Si do ta vlerësonit ekspozitën e Henry Moore hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve?

Velo: Në thatësirën e peizazhit artistik që ofron Galeria, sigurisht që është një eveniment. Por ata që nuk e njohin Moore’in e vërtetë dhe shohin vetëm këtë Ekspozitë mund të gabohen. Sepse Moore, është artisti i gjigantes. Ka një përmasë gjiganteske tek ai si rrallë në ndonjë skulptor tjetër. Kjo është edhe një nga karakteristikat e tij. Ai eksploron masat në hapësirë. Nuk kam parë skulptura më të mëdha se sa ato të Moore. Ai bën skulpturë QIKLLOPIKE. Si njerëzit primitivë me totemet apo skulpturat e ishullit të pashkëve. Printet janë një nga hobet e tij. Kurse maketet e vogla janë për t’u konsultuar nga ai vetë. Sidoqoftë faleminderit se janë të gjitha origjinale. Po unë do të dëshiroja që një kopje e një skulpture të Moore të vendoset në hapësirë me bar para Galerisë. Shumë Galeri në botë kanë të tilla, kam parë në Cleveland (Ohajo). Kryeministri i ri mund ta bëjë këtë. Është e mundshme dhe e realizueshme.

Moore konsiderohet si një nga skulptorët më të rëndësishëm të shekullit XX. Çfarë solli skulptura e tij?

Velo: Dy janë kryeskulptorët e shekullit XX. Rumuni Brancushi dhe britaniku Moore. Brancushi e limoi formën deri në përsosmëri, por duke i hequr referencat njerëzore. Moore çdo gjë e lidhi me njeriun dhe veçanërisht me femrën. Ai zbuloi për herë të parë SHTRIRJEN, magjinë e GRUAS së SHTRIRË.

Brancushi është i egër në përsosmërinë e tij. Moore nuk ia lejon kurrë vetes të jetë i egërsuar. Ai është butësia vetë. Ai na mëson se çdo gjë lidhet me gruan. Gruaja është magjia. Dhe ashtu si gruaja lind fëmijën, lind edhe formën. Gruaja (na thotë Moore) lind tërë format, edhe ato abstrakte. Dhe ashtu siç çdo fëmijë që kur lind është i butë, edhe skulptura e tij është plot harmoni, qetësi dhe perfeksion.

Moore ishte një artist, arti i të cilit inspiroi shumë artistë, e vazhdon të inspirojë ende sot?

Velo: Moore është një nga tre artistët e mëdhenj britanikë të shekullit XX. Ata janë Henry Moore, Francis Bacon dhe Lucian Freund. Anglia ka nxjerrë shkrimtarë, poetë, filozofë, por pak kompozitorë dhe skulptorë e piktorë. Do të thosha se meditacioni i ftohtë i vendeve nordike i lë pak vend impulseve të forta irracionale, pa të cilat nuk krijohet dot as piktura dhe as skulptura. Itali, Francë, Spanjë është trekëndëshi i artë mbas Rilindjes Europiane. Mbas 1900’s, Parisi u bë ruleti i artit botëror. Artistë si Moore në historinë e njerëzimit janë të paktë. Dhe sigurisht që sa më shumë shkon koha, aq më tepër vlerësohen. Çdo njeri që merret me art do ta admirojë. Por AI është nga ata që nuk përsëriten, nuk mund të kopjohen dhe prandaj ka pak që punojnë si ai. AI është një fenomen personal, i papërsëritshëm.

E kujtoni njohjen e parë me veprat e tij?

Velo: Për herë të parë, vepra të Moore kam parë në vitin 1969. Në vitin 1972, Pjetër Rodiqi më dha një botim kapital në anglisht.

Librin ia kishte dhënë një delegacion tregtar austriak. Pjetri punonte në Dhomën e Tregtisë. Aty kam parë me detaje vizatimet, printet, fotot e skulpturave. Ia kam dhënë disa shokëve Edison Gjergos dhe skulptorit Sofokli Koci. Kur më arrestuan ma konfiskuan edhe atë libër. E kam në aktakuzën e Kujtim Buzës.

Moore’in e shijova në Paris. Në qershor të 1992-shit kisha një studio në Montmartre. Noelle Gautier (shoqe fëmijërie e Liri Begesë), më telefonon e më thotë se në Bua De Boulogne, nën kujdesin e Mbretëreshës së Anglisë, është çelur një ekspozitë gjigante në natyrë me 36 skulptura të Moore. Ishte hera e parë që në Europë, Moore prezantohej në atë shkallë. Shkuam një të diel. Kam ngelur aq i impresionuar sa edhe sot i kam të gjalla para sysh. E kam shijuar edhe në Cliveland, edhe në Dusseldorf, edhe në Londër.

Pas dy vjetësh, Noell’it me aplikacionet e saj i organizova një Ekspozitë në Galerinë tonë. Pas 5 vitesh, ajo vrau veten.

A është skulptura e tij revolucionare? 

Velo: Ky termi revolucionar më shtie tmerrin. Komunizmi shpërbëri shumë kuptime. Sigurisht. Çdo art i madh është revolucionar, është një hap përpara. Këto hapa e kanë sjellë botën në këtë stad të lartë. Këtu bën pjesë edhe Henry Moore.

 

Filmi dokumentar “The Art of Henry Moore”.