“Deri tani u intervistuan 60 persona”, avokati Doli: Roli i klientit tim ka qenë në rolin e anëtarit dhe jo të komisionerit

Prokuroria e Gjakovës në bashkëpunim me policinë kanë zhvilluar sot një aksion që lidhet me manipulimet e keqpërdorim në kuadër të votave për kandidatë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Derisa në stacion vazhdojnë të intervistohen numër i madh i komisionerëve, para mediave ka folur njëri nga avokatët. Egzon Doli, deklaroi se klienti i tij nuk…

Lajme

28/01/2026 12:40

Prokuroria e Gjakovës në bashkëpunim me policinë kanë zhvilluar sot një aksion që lidhet me manipulimet e keqpërdorim në kuadër të votave për kandidatë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Derisa në stacion vazhdojnë të intervistohen numër i madh i komisionerëve, para mediave ka folur njëri nga avokatët.

Egzon Doli, deklaroi se klienti i tij nuk ka qenë në rolin e komisionerit dhe se me aq sa di ai, deri tani janë intervistuar rreth 60 persona, transmeton lajmi.net.

“Nëse nuk gaboj rreth 60 persona janë intervistuar. Roli i klientit tim ka qenë në rolin e anëtarit dhe jo të komisionerit, por megjithatë mbetet të shihet çfarë pretendon prokuroria”,deklaroi ai.

“Rasti ka të bëjë me një proces hetimor që po zhvillohet në lidhje me dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore, mirëpo megjithatë procedura është në fazë shumë të hershme të hetimit dhe informatat më të detajuara mund t’i siguroni edhe përmes organeve të ndjekjes. Klienti është në cilësinë e anëtarit të komisionit, do të thotë deklarata e tij ka të bëjë me funksionin që ka pasur gjatë procesit të numërimit të rezultateve, mirëpo megjithatë informata më të hollësishme në këtë fazë të hetimit nuk mund t’i ofrojmë”,deklaroi Doli.

Ai tha se “Kjo ka qenë në përgjegjësinë e komisionerëve të qendrave të votimit, megjithatë roli i klientit tim ka qenë në cilësinë e anëtarit dhe ne padyshim që kemi një garantim të prezumimit të pafajësisë për të gjithë këta që po hetohen, megjithatë është detyrë e prokurorisë të argumentojë këto pretendime”./Lajmi.net/