Deri kur mund të vazhdojë dështimi i konstituimit të Kuvendit?

Dështimi i konstituimit të legjislativit për të pestën herë, po konsiderohet si një prej shumë dështimeve që mund të ndodhin në vijim. Mungesa e vullnetit politik të partive parlamentare, veçmas Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe trupave të tjerë të legjislativit, po shihet si arsye për një gjë të tillë. Monitoruesit e punës së…

Lajme

23/04/2025 18:30

Dështimi i konstituimit të legjislativit për të pestën herë, po konsiderohet si një prej shumë dështimeve që mund të ndodhin në vijim. Mungesa e vullnetit politik të partive parlamentare, veçmas Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe trupave të tjerë të legjislativit, po shihet si arsye për një gjë të tillë.

Monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se ngërçi aktual në Kuvend mund të vazhdojë derisa një prej palëve ‘të lodhet’ nga kjo situatë.

Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka të drejtën ekskluzive që ta nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese 2014.

Kjo parti ka prezantuar deputeten e zgjedhur Albulena Haxhiu, por e njëjta në vazhdimet për konstatimin e Kuvendit më 19 e 23 prill nuk mori 61 votat e nevojshme, pasi kundër votuan PDK, LDK, AAK, ndërsa tre deputetët e Nisma Socialdemokrate abstenuan.

Nga radhët e komuniteteve jo shumicë, deputetët e Listës Serbe në seancën e sotme nuk morën pjesë në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komunitetit boshnjak, Duda Balje.

Meqenëse qëndrimet politike të partive parlamentare janë të njëjta, deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca në seancën e të hënës kërkoi marrëveshje politike me partitë të tjera parlamentare për të ecur tutje, por paralajmëroi se emri i Haxhiut për LVV-në është i pandryshueshëm.

Përkundër këtij deklarimi, monitoruesi i punës së Kuvendit nga radhët e Institutit Demokratik të Kosovës(KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress se LVV-ja po dëshmon se nuk dëshiron marrëveshje politike.

Sipas tij, ngërçi në Kuvend është më shumë politik sesa procedural, andaj nevojitet të përfshihet lidershipi partiak në zgjidhjen e situatës e jo t’i lihet kryesuesit të seancës, Avni Dehari që 30 minuta para mbajtjes së seancës të ftojë për konsulta partitë parlamentare.

Krahas kësaj, ai thotë se LVV-së i konvenon situata aktuale politike pasi rrjedha e afateve kohore për formimin e qeverisë nuk po nisë, derisa vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e tyre në qeveri.

“Dështimi për herë të pestë do të jetë një prej shumë dështimeve të tilla për shkak të mungesës së vullnetit politik. Fatkeqësisht, seanca e sotme dëshmoi se partitë sidomos Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka seriozisht çështjen e arritjes së një marrëveshjeje politike, përkundër deklarimit publik të Konjufcës gjatë seancës paraprake. Nëse në anën tjetër, shihen veprimet politike unë besoj se nuk mund të presim marrëveshje politike në takim konsultativ të thirrur nga Dehari, që është aty në pozitën e kryesuesit vetëm për shkak të moshës jo që përfaqëson ndonjë autoritet vendimmarrës brenda LVV-së. Marrëveshjet politike për tejkalim të ngërçit politik mund të arrihen vetëm kur përfshihet lidershipi partiak… LVV-ja është në një periudhë komode, pasi ndonëse po kalon kohë, afatet nuk po rrjedhin dhe të njëjtit nuk kanë nevojë të marrin përgjegjësi institucionale në kuptimin e zgjedhjes së qeverisë dhe institucioneve tjera. Situata do të vazhdojë derisa një prej palëve do të lodhet nga kjo situatë”, thekson ai.

Hulumtuesi pranë Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, e sheh të nevojshme që partitë parlamentare të gjejnë një zgjidhje dhe të rrjedhin afatet kohore për formimin e qeverisë, ku mund të dëshmohet a i ka numrat për formimin e qeverisë, partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Një situatë e tillë është problematike pasi shumica parlamentare që ka dalë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të mbledhë së paku 61 vota të nevojshme. Në këtë drejtim, Kuvendi nuk do të duhej të bëhet problem për një kandidaturë të tillë. Arsyet politike mund të jenë të sakta dhe objektive, por si IKD konsiderojmë se Kuvendi do të duhej të konstituohet sa më parë në mënyrë që të hapet rruga për formimin e qeverisë… Në këtë drejtim duhet të kapërceheshin disa dallime politike, në mënyrë që të vazhdohet pastaj me testimin e pafuqisë politike në rast që shumica parlamentare nuk i ka votat (për formimin e qeverisë)”, thekson Jakaj.

Përpjekja e gjashtë për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të premten, kur edhe është thirrur vazhdimi i seancës prej orës 10:00.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kanë theksuar se do të vazhdojnë të propozojnë deputeten e zgjedhur Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, përkundër që në tri tentime ajo nuk mori 61 votat e nevojshme.