Deputetja e LDK-së: Kurti po e zvarrit konstituimin e institucioneve për ta çuar vendin në zgjedhje në dhjetor

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e vonon me qëllim procesin e konstituimit të institucioneve, me synimin që vendi të shkojë në zgjedhje të reja në fund të vitit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ymeri ka deklaruar se Kurti i…

Lajme

16/07/2026 13:14

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e vonon me qëllim procesin e konstituimit të institucioneve, me synimin që vendi të shkojë në zgjedhje të reja në fund të vitit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ymeri ka deklaruar se Kurti i ka numrat për ta formuar Kuvendin dhe Qeverinë, por sipas saj, po zgjedh të mos e bëjë këtë për kalkulime politike.

“Albin Kurti mundet sot me i formu edhe Kuvendin edhe Qeverinë, por shtyrja e këtyre proceseve po bëhet ashtuqë zgjedhjet e reja, për çdo rast, të bëhen në dhjetor”, ka shkruar ajo.

Ymeri i është drejtuar më pas personalisht kryeministrit në detyrë, duke iu referuar edhe mbështetjes së mërgatës, ndërsa ka përdorur një krahasim me personazhin satirik “Shoku Zylo”.

“Shoku Kryeministër, me e pa mërgatë, rënia e shokut Zylo po bëhet dhe s’ke mundësi me ndal”, ka shkruar deputetja e zgjedhur e LDK-së.

Deklarata e saj vjen në kohën kur procesi i konstituimit të institucioneve të reja vazhdon të mbetet i bllokuar, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë. /Lajmi.net/