Deputetja e LDK-së kërkon zhbllokim të Kuvendit: Subjektet politike duhet të reflektojnë

Deputetja e sapozgjedhur e LDK-së, Serbeze Kabashi-Muçaj, ka bërë thirrje për reflektim nga subjektet politike dhe për bashkëpunim për të zhbllokuar Kuvendin e Kosovës, pas 15 seancave të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Në një reagim në rrjetin social Facebook, Kabashi-Muçaj tha se subjektet politike duhet të reflektojnë. “Po ju drejtohem sot jo…

Lajme

14/05/2025 22:36

Deputetja e sapozgjedhur e LDK-së, Serbeze Kabashi-Muçaj, ka bërë thirrje për reflektim nga subjektet politike dhe për bashkëpunim për të zhbllokuar Kuvendin e Kosovës, pas 15 seancave të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, Kabashi-Muçaj tha se subjektet politike duhet të reflektojnë.

“Po ju drejtohem sot jo thjesht si përfaqësuese e një subjekti politik, por si përfaqësuese e besimit tuaj – një besim që më ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj interesit publik dhe rendit demokratik”, ka shkruar Kabashi-Muçaj.

Tutje ajo ka thënë se “kur institucionet e shtetit ngujohen në heshtje dhe bllokadë, zëri i ndërgjegjes duhet të dëgjohet”.

“Jemi dëshmitarë të një situate të paprecedentë në Kuvendin e Kosovës: 15 seanca të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe vazhdimi i kësaj bllokade po minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në funksionimin e demokracisë parlamentare”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Sipas saj, kjo gjendje nuk është as e pranueshme, as e drejtë.

“Është e pakuptimtë dhe e padrejtë që përgjegjësia për zhbllokimin institucional t’i lihet vetëm një partie, kur procesi është kolektiv dhe çdo deputet mban një mandat që i buron nga qytetarët, jo nga aritmetika politike. Përgjegjësia për të çuar vendin përpara është e përbashkët, ashtu siç është edhe dëshira e qytetarëve për stabilitet, rend dhe zhvillim”, thotë Kabashi-Muçaj.

Ajo thotë se “subjektet politike duhet të reflektojnë. Asnjë kalkulim afatshkurtër nuk duhet të mbajë peng asnjë ditë më shumë të ardhmen e vendit. Ne nuk kemi të drejtë t’i zhgënjejmë qytetarët me mosveprim. Ata na kanë zgjedhur për të zgjidhur, jo për të bllokuar”.

“Respektimi i Kushtetutës, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përmbushja e detyrave parlamentare nuk janë çështje vullneti, por detyrimi ligjor dhe moral. E vërteta është se Kosova sot ka nevojë për institucione funksionale, jo për krizë politike. Ka nevojë për bashkëpunim, jo për fajtore. Ka nevojë për përfaqësues që veprojnë, jo që heshtin”, ka shkruar ajo.

Kabashi-Muçaj tutje ka thënë se “me këtë reagim, nuk kërkoj asgjë më shumë përveç përgjegjësisë që na takon të gjithëve: t’i rikthejmë qytetarëve besimin në demokraci”.

“Zgjidhja është në duart tona. Të mos e zhgënjejmë më shumë popullin që na ka besuar”, ka shkruar ajo.