Deputeti ukrainas: Zelensky gaboi me Trump, duhet t’i kërkojë falje

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, në një lidhje direkte me “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, deklaroi se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet t’i kërkojë falje homologut të tij Donald Trump, pas debatit që patën në Shtëpinë e Bardhë. “Zelensky gaboi në Shtëpinë e Bardhë dhe duhet të bëjë çmos që të rregullojë…

Bota

02/03/2025 21:53

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, në një lidhje direkte me “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, deklaroi se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet t’i kërkojë falje homologut të tij Donald Trump, pas debatit që patën në Shtëpinë e Bardhë.

“Zelensky gaboi në Shtëpinë e Bardhë dhe duhet të bëjë çmos që të rregullojë marrëdhëniet me Presidentin Donald Trump. Unë nuk jam mbështetës i madh i Zelenskyt, por ai do të jetë President i Ukrainës deri në fund të luftës sepse nuk mbahen dot zgjedhje në këtë situate”, u shpreh Goncharenko.

Më tej, ai theksoi se ndihma e Amerikës është e domosdoshme për Ukrainën, pasi mbështetja e Evropës nuk është e mjaftueshme.

“Europa e vetme nuk mund të na japë atë që kemi nevojë. Nuk shkatërrohen tanket ruse me deklarata apo postime në rrjetet sociale. Neve na duhet mbështetje konkrete. Nuk jemi të lumtur nga ndryshimi i qasjes së SHBA-së në lidhje me mbështetjen, por kjo është situata ku ndodhemi tani. Jemi gati për paqe dhe mendoj se Trump mund ta arrijë paqen, por nuk mund të kalojmë vijat e kuqe, që janë sovraniteti i Ukrainës, lloji i ushtrisë së saj dhe garancia që Rusia mos të sulmojë më. Nuk është vetëm Ukraina, pasi ne po mbrojmë Evropën tashmë. Në 1994 kemi pasur arsenalin e tretë bërthamor më të madh në botë dhe na u kërkua nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar që ta hiqnim, pasi na garantuan që nuk do na duhej. Dhe ja ku jemi sot”, tha deputeti ukrainas. A2CNN