Deputeti shqiptar në Serbi paralajmëron këmbëngulje: Për 14 vjet kemi pasur vetëm regres
Deputeti i zgjedhur shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Visar Mehmeti, ka paralajmëruar angazhim të vazhdueshëm për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai në një deklarim për ABC News, deputeti i zgjedhur shqiptar në Serbi, Visar Mehmeti, ka deklaruar se gjatë 14 viteve të fundit, shqiptarët në Luginë nuk kanë shënuar…
Lajme
Deputeti i zgjedhur shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Visar Mehmeti, ka paralajmëruar angazhim të vazhdueshëm për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai në një deklarim për ABC News, deputeti i zgjedhur shqiptar në Serbi, Visar Mehmeti, ka deklaruar se gjatë 14 viteve të fundit, shqiptarët në Luginë nuk kanë shënuar përparim në realizimin e të drejtave të tyre, por janë përballur me regres.
“Në Luginë ka pasur ndryshime negative. Në 14 vite nuk është shtyrë çështja e shqiptarëve përpara, vetëm kemi pasur regres. Dje është parë më qartë që në Medvegjë vetëm 219 shqiptarë kanë mundur të votojnë”, ka deklaruar Mehmeti.
Duke folur për angazhimin e tij në Parlamentin serb, i cili numëron 250 deputetë, Mehmeti ka theksuar se nuk do të ndihet inferior përballë shumicës dhe se do të jetë këmbëngulës në adresimin e kërkesave të shqiptarëve.
“Parlamenti serb ka 250 ulëse, mirëpo, qëkur i kam hyrë kësaj gare, kam qenë i vendosur të mos ndihem inferior në Parlamentin e Serbisë. Ndaj duhet t’u qasem atyre objektivave, duke i ngritur çështjet e njohjes së diplomave e shumë të tjera. Do të jemi këmbëngulës në Parlamentin serb”, ka thënë ai.
Mehmeti ka folur edhe për koalicionin e përbashkët të subjekteve politike shqiptare, duke theksuar se mbetet të shihet nëse do të arrihet pajtim për çështjet me rëndësi për shqiptarët.
“Kemi një koalicion gjithëpërfshirës dhe të shohim a do ta gjejmë gjuhën e përbashkët”, është shprehur ai.
Duke komentuar zhvillimet politike në Serbi, Mehmeti ka vlerësuar se dobësimi i pushtetit të Aleksandar Vuçiqit ka nisur pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, e cila nxiti protesta masive.
“Fillimi i rënies së Vuçiqit ka nisur dy vite më parë me rënien e një mburoje të stacionit hekurudhor në Novi Sad. Më pas nisën protestat, u shtuan dhe tani erdhi kulmi”, ka deklaruar Mehmeti.