Deputeti serb: Banjska është pjesë e agjendës që ndiqet për 12 vjet, Radoiçiq do të ishte në burg nëse do ta organizonte vet

Deputeti i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë, Aleksandar Ivanoviq, në përvjetorin e rastit të Banjskës tha se Milan Radoiçiq do të ishte në burg nëse sulmin terrorist në Banjskë do ta organizonte vet. Sipas tij, të qëndrosh krahë për krahë presidentit serb, të veshësh uniformë për tu bërë pjesë e një sulmi terrorist e pastaj edhe…

Lajme

24/09/2024 14:19

Deputeti i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë, Aleksandar Ivanoviq, në përvjetorin e rastit të Banjskës tha se Milan Radoiçiq do të ishte në burg nëse sulmin terrorist në Banjskë do ta organizonte vet.

Sipas tij, të qëndrosh krahë për krahë presidentit serb, të veshësh uniformë për tu bërë pjesë e një sulmi terrorist e pastaj edhe ta pranosh këtë të fundit, është anormale.

“Është anormale që një person i cili prej vitesh qëndron ‘sup më sup’ me presidentin e Serbisë, të veshë uniformë dhe të jetë bartës i një aksioni të tillë në fushë dhe pastaj të pranojë se gjithçka e ka organizuar vetë. Kur e kompromenton atë person, ke kompromentuar edhe presidentin e vendit, kushdo qoftë ai. Më pas presioni kalon te presidenti i vendit, pastaj kërkohen lëshime nga presidenti sepse lind një pyetje logjike – a jeni krahu politik i asaj organizate terroriste sepse, nga pikëpamja e bashkësisë ndërkombëtare, ajo është një organizatë terroriste. “, tha Ivanoviq.

Sipas këtij deputeti, Banjska është “pjesë e agjendës që ndiqet për 12 vjet” dhe se arrestimi i Radoiçiqit do të përbënte rrezik, sepse sipas Ivanoviq, ai është një dëshmitar jashtëzakonisht i rrezikshëm.

“Është e vështirë për mua të imagjinoj një skenar (në të cilin Radoiçiq do të ndiqej penalisht ose ekstradohej) sepse ai do të ishte një dëshmitar jashtëzakonisht i rrezikshëm”, tha për N1, Aleksandar Ivanoviq, deputet i Lëvizjes Popullore të Serbisë, përcjell lajmi.net.

Ai ka thënë policët serbë në veri të Kosovës nuk janë shkarkuar nga Albin Kurti.

“Lista Serbe i tërhoqi. Pra, u bë presion që të kthenin armët para kamerave në mënyrë teatrale. Duke ndjekur të njëjtin model, ata tërhoqën prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët tani do të gjykonin disa nga këto procese. dhe në fund – incidenti në Banjskë. Ne mund të kalojmë ditë duke analizuar absurditetin e atij veprimi”, tha Ivanoviq./Lajmi.net