Deputeti i VV-së ua lë fajin qeverive të kaluara: I pasivizuan veteranët dhe nuk ua mundësuan të gjejnë punë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, ka deklaruar që veteranët e luftës duhet të respektohen si vlerë, e jo si individë dhe se duhet krijuar kultura e dhënies për vendin e jo ajo e marrjes.

Lajme
“Më shumë ka nevojë shteti t’i respektojë veteranët, se sa veteranët të respektohen nga shteti.Veterani duhet të respektohet si vlerë, jo si individ. Duke respektuar këtë kategori ne krijojmë dhe mirëmbajmë kulturën e ‘dhënies’ për vendin, e jo të ‘marrjes’. Për të mirën e shoqërisë sonë, për rininë tonë”, tha ai.
Humolli ka pasur kritika për qeveritë e kaluara që sipas tij nuk u kanë ofruar veteranëve mundësi punësimi dhe i ka pasivizuar ata.
“Veterani nuk është lakmues, ai është i gatshëm të japë gjithçka andaj nuk kërkon atë që shteti s’mund t’ia japë.Deri më sot, shteti ynë nuk i ka ofruar mundësi punësimi veteranit, e ka pasivizuar atë, duke e lënë në cep të mbijetesës me një pension minimal”, shtoi Humolli.
Ai theksoi se duke i pamundësuar pensionin minimale, shteti i pamundëson mbijetesën.
“Duke i pamundësuar pensionin minimal, shteti i pamundëson mbijetesën, e ne duhet të synojmë shumë më shumë se sa mbijetesa për qytetarët tanë më të dëshmuar”./Lajmi.net/