“Deputetët rrezikojnë humbje mandati dhe deri në 6 vjet burg” – Çka ndodh nëse për 30 ditë nuk konstituohet Kuvendi?
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar vendimin më të fundit të Kushtetueses për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar pasojat serioze që mund të përballen deputetët e rinj në rast të mosrespektimit të këtij aktgjykimi. Sipas Kryeziut, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep afat 30-ditor Kuvendit për t’u konstituar dhe për…

Lajme
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar vendimin më të fundit të Kushtetueses për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar pasojat serioze që mund të përballen deputetët e rinj në rast të mosrespektimit të këtij aktgjykimi.
Sipas Kryeziut, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep afat 30-ditor Kuvendit për t’u konstituar dhe për të filluar funksionimin si institucion, një afat që ka hyrë në fuqi që nga data 26 qershor 2025. Gjatë kësaj periudhe, deputetët kanë obligim kushtetues që të përmbushin mandatin e tyre dhe të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij ka efekt të njëjtë me një ligj.
Kryeziu paralajmëroi se në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, të 120 deputetët e zgjedhur mund të përballen me pasoja të rënda, përfshirë ndëshkime administrative dhe penale.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është optimal, pra nuk është radikal. Ka prodhuar një moment të ri, ku në një farë forme iu ka thënë deputetëve që keni afat edhe 30 ditë të vazhdoni kështu. Çdo vendim, çdo aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese është ligj, dhe ligji ka pasoja. Pasojat në bazë të kësaj, nëse nuk konstituohet vijnë në mënyrë automatike. E para është masa ndëshkuese administrative, që nënkupton revokimin apo humbjen e mandatit. E dyta është masa penale, ku Prokuroria Speciale ka për detyrë që të fillojë ndjekjen penale për shkak të cenimit të rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe mosrespektimit të ligjit. Kjo vlen për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të kodit penal mund të burgosen prej 3 deri në 6 vjet burgim”, tha Kryeziu për KlanKosova.
Kryeziu theksoi gjithashtu se aktgjykimi i Kushtetueses nuk përbën një masë ekstreme, por paraqet një qasje të balancuar që u jep kohë deputetëve të reflektojnë dhe të veprojnë në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese. Ai nënvizoi se ligji është i qartë dhe i detyrueshëm për të gjithë, dhe se mosrespektimi i tij sjell pasoja të pashmangshme.
Sipas ish-nënkryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ky vendim duhet të merret seriozisht nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionet, duke qenë se cenimi i rendit kushtetues nuk mund të tolerohet dhe do të trajtohet me përgjegjësi të plotë ligjore nga autoritetet përkatëse, përfshirë edhe Prokurorinë Speciale./Lajmi.net/