Deputetët mblidhen për të 19 herë, në përpjekje për ta konstituar Kuvendin e Kosovës
Deputetët do të mblidhen sërish sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e nëntëmbëdhjetë me radhë që prej 15 prillit kur ka filluar seanca konstituive. Vazhdimi i seancës konstituive bëhet në orën 11:00, por zhvillimet nuk tregojnë shpresë se do të ketë zhbllokim të situatës. Çështja e…

Lajme
Deputetët do të mblidhen sërish sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e nëntëmbëdhjetë me radhë që prej 15 prillit kur ka filluar seanca konstituive.
Vazhdimi i seancës konstituive bëhet në orën 11:00, por zhvillimet nuk tregojnë shpresë se do të ketë zhbllokim të situatës.
Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në disa seanca, kryesuesi i seancës, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo nuk është përkrahur nga partitë e tjera parlamentare.
Që prej 15 prillit, deputetët po mblidhen çdo 48 orë për konstituim të Kuvendit.
E në mbledhjet e fundit, nga Lëvizja Vetëvendosje u propozua që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë – siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por të bëhen një herë në javë. Kjo nuk gjeti mbështetje.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, javën që shkoi, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.