Deputetët kërkojnë që shtesat për fëmijë të jenë më të larta se 10 euro

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, ka iniciuar debatin parlamentar që është mbështetur edhe nga deputetët e partisë së saj në lidhje me shtesat e fëmijëve.

Lajme

15/10/2018 16:45

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi, me kërkesë të saj dhe me mbështetjen e shtatë deputetëve të AAK-së, ka iniciuar debatin parlamentar në lidhje me shtesat e fëmijëve, që siç ka propozuar ajo, fëmijët deri në moshën 16-vjeçare të marrin nga 10 euro shtesa në muaj.

Kadaj Bujupi, tha se shtesat e fëmijëve janë përpjekje e kamotshme.

“Është çështje e interesit kombëtar që shtesat e fëmijëve të bëhen realitet e jo më larg se vitin tjetër”, tha ajo.

Sipas Kadaj Bujupit, ka rënie të natalitetit. Prej vitit 2011 deri në vitin 2017 sipas Kadaj Bujupit, janë 70 mijë lindje më pak.

Sipas saj janë dy çështje për shtesat e fëmijëve. Barazia dhe përkrahja ndaj fëmijëve dhe të ketë politika për rritjen e natalitetit.

“Në emër të nënshkruesve deputetëve të AAK kemi propozuar këtë projekt rezolutë: Çdo fëmijë në Kosovë prej 0 deri 16 vet të gëzojë shtesa çdo muaj duke filluar nga 10 euro pastaj sipas buxhetit dhe mundësive buxhetore dhe numri i fëmijëve në familje kjo shumë të rritet dhe të shtohet. 2. Rekomandimet nga rezoluta të zbatohen përmes buxhetit të vitit të ardhshëm duke u shndërruar në vijë buxhetore në kuadër të ministrisë përkatëse”, tha Kadaj Bujupi.

Sipas saj janë rreth 500 mijë fëmijë dhe nëse të gjithë pa dallim gëzojnë shtesa, shuma e përgjithshme do të jetë rreth 3 për qind e buxhetit të Kosovës.

Në anën tjetër në lidhje me këtë propozim të deputetes Kadaj-Bujupi, ka reaguar deputetja e PDK-së, Flora Brovina, e cila ka thënë se, Grupi Parlamentar i PDK-së, do ta përkrahë këtë iniciativë në lidhje me shtesat e fëmijëve.

“Është diskutuar vazhdimisht në lidhje me përkrahjen institucionale të fëmijëve të Kosovës dhe për përkrahjen materiale të tyre pra për shtesat e fëmijëve. Nga këto konstatime, nuk është gjetur mundësi institucionale për t’i mbrojtur ata”, tha Brovina.

Deputetja beson se pasi që debati parlamentar është thirrur nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, do të sigurohet buxheti për shtesat e fëmijëve.

“Propozimet nga këto debate, gjithnjë janë arsyetuar në mungesë të buxhetit. Duke u nisur që tash diskutimet janë bërë nga AAK-ja e kryeministrit besoj se është diskutuar edhe për përkrahjen e buxhetit dhe të sigurohen shtesat e fëmijëve prej 10 eurosh në muaj. Është brengosëse rënia e popullatës në Kosovë”, tha deputetja.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilal Sherifi deklaroi se subjekti i tij politik e mbështetë nismën e deputetes Donika Kadaj-Bujupi për shtesa të fëmijëve.

“Shpresojmë që vullneti i shprehur në këtë seancë, do të merret seriozisht nga qeveria që të hartojë  një ligj për këtë çështje. Shuma do të duhet t’i lihej qeverisë, të përcaktojë shumën, në varësi të buxhetit. Mirë do të ishte të mos jetë nën 10 euro, por më tepër, sado që buxheti e përballon”, tha ai gjatë seancës së Kuvendit, i cili shtoi se deputetët e partisë së tij do të japin kontributin e tyre në Kuvend dhe në Komisione në lidhje me këtë çështje.

Edhe Aleanca Kosova e Re e përkrah këtë iniciativë të deputetes Kadaj-Bujupi për shtesat për fëmijët, mirëpo deputeti Islam Pacolli nga AKR-ja ka thënë se shtesat e fëmijëve duhet të jenë më të larta se 10 euro.

“Starti mos të jetë 10 euro se është shumë e vogël”, tha ai, i cili shtoi se, mosha për këto shtesa duhet të jetë deri në 18 vjet.

“Nëse me të vërtetë është fillu një iniciativë kaq e rëndësishme për vendin tonë ta përkrahim të gjithë dhe të bëjmë kritere sa më të mira. Ne e kemi obligim si qytetarë ta përkrahim fuqishëm dhe të kërkojmë që të jetë shuma më e lartë, jo 10 euro”, tha Pacolli.

Këtë nismë e ka mbështetur edhe PSD-ja.

Sipas deputetes së PSD-së, Besa Baftiu, një iniciativë e tillë do të duhej të vinte nga qeveria.

“Gjatë fushatës elektorale, tri subjektet politike janë deklaruar në fushatë për shtesa për fëmijë duke marrë parasysh edhe kryeministrin Haradinaj që ka thënë se secili fëmijë do të marr 20 euro shtesa edhe Nisma (ka deklaruar). Edhe PDK ka deklaruar që do të ndajnë nga 300 euro për secilin fëmijë të porsalindur”, tha ajo.

Baftiu tha se e kundërshton moshën e fëmijëve nga 0 deri në 16 vjet, pasi sipas saj në konventën për të drejtat e fëmijëve në nenin 1 thuhet se fëmijë kuptohet prej 0 deri 18 vjet.

Debati në lidhje me këtë propozim të deputetes Donika Kadaj-Bujupi u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për votim. /Lajmi.net/