Deputetët e PDK-së para Qeverisë: Këto zyra janë uzurpuar nga deputeti Albin Kurti
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar sot aktivitetin politik kundër pengmarrjes së institucioneve nga ana e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, deputetja Vlora Çitaku, në një konferencë për media, para objektit të Qeverisë së Kosovës ka ritheksuar se LVV po shpërfillë procedurat për konstituimin e Kuvendit, duke ua…
Lajme
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar sot aktivitetin politik kundër pengmarrjes së institucioneve nga ana e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, deputetja Vlora Çitaku, në një konferencë për media, para objektit të Qeverisë së Kosovës ka ritheksuar se LVV po shpërfillë procedurat për konstituimin e Kuvendit, duke ua pamundësuar deputetëve ta ushtrojnë mandatin që ua kanë besuar qytetarët në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Ne këtu jemi me një qëllim të vetëm: të kërkojmë rivendosjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë në vend. Kjo ndërtesë këtu është Qeveria e Republikës së Kosovës, në të cilën shumë prej nesh e kemi pasë nderin me shërby. Nuk ka nder e privilegj më të madh se me pasë mundësi me i shërby vendit tënd. Mirëpo, edhe nuk ka krim më të madh se sa kur besimi qytetar keqpërdoret dhe zyrat e popullit uzurpohen. Këto zyra janë të uzurpuara nga një deputet (Albin Kurti). Po aq sa ka të drejtë të jetë ai aty, po aq kemi të drejtë edhe ne. E dyta, ai duhet të jetë në Kuvend bashkë me ne për të konstituuar Kuvendin, për të themeluar institucionet. Nuk jemi këtu të bëjmë puç”,
PDK ka ftuar Albin Kurtin, që e ka shumicën parlamentare të shkojë në Kuvend, ta propozojë kryetarin dhe ta konstituojë këtë institucion.
“Ne jemi këtu për t’i thënë Albin Kurtit: Eja në Kuvend. T’i ndërtojmë institucionet, pastaj ecim tutje!”, tha Çitaku.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se rendi kushtetues i Republikës së Kosovës ka rënë dhe ka ftuar kryesuesin sipas moshës, Avni Deharin që ta caktojë seancën e re.
“Çka po ndodhë në këtë vend është absurde dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Ne kemi pasur zgjedhje në shkurt, në dhjetor, në qershor. Kemi pasë tri palë zgjedhje nacionale. Asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush 18 muaj e 5 ditë t’i bllokojë institucionet”, theksoi ai.
PDK përsëri do t’i drejtojë kërkesë Avni Deharit për mbajtjen e seancës konstituive pas 48 orëve dhe aktivitetin e saj PDK do ta zhvendosë edhe jashtë Kuvendit në forma më të gjëra të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.