Deputetët e PD-së organizojnë protestë para Parlamentit Evropian në Strasburg

Me bluzat “Lironi Berishën” dhe banderolat “Lironi Salianjin”, një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike kanë nisur fushatën sensibilizuese me eurodeputetë në hyrjen e Parlamentit Evropian. “Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu,…

Lajme

23/10/2024 12:57

Me bluzat “Lironi Berishën” dhe banderolat “Lironi Salianjin”, një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike kanë nisur fushatën sensibilizuese me eurodeputetë në hyrjen e Parlamentit Evropian.

“Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda, kanë njohur kolegët e tyre europianë me faktet e arrestimit politik të Kryetarit të PD dhe Liderit të Opozitës Sali Berisha, duke kërkuar monitorimin nga afër të situatës dhe lirimin e tij të menjëhershëm”, njofton PD.

Deputetët demokratë janë shprehur se me arrestimin e liderit të opozitës Sali Berisha, synohet të cenohet barazia e palëve në zgjedhje.

“Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur të gjithë drejtuesit e opozitës, që Edi Rama të konkurrojë me vetveten dhe të mbajë pushtet me dhunë”, shprehen deputetët demokrat.

Duke e konsideruar një hakmarrje politike luftën që Edi Rama i ka shpallur Partisë Demokratike, përmes burgosjeve politike, deputetët demokratë në një akt të pa ndodhur më parë, kanë zgjedhur këtë formë origjinale dhe të veçantë, për të tërhequr vëmendjen e eurodeputetëve, për situatën e rëndë ku ndodhet vendi.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por demokratët akuzojnë Kryeministrin Edi Rama se ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eliminuar zgjedhjet e lira.

Për deputetët e PD, duke u bazuar edhe në të dhënat e bëra publike nga hetimet penale të përgjimeve SKY/EÇ në rastin e ish deputetit socialist Jurgis Çyrbja, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS.