Deputetët dështuan 24 herë të konstituojnë Kuvendin, por jo t’i marrin edhe pagat
Shihemi pas 48 orëve në 10:30. Të gjithë në sallë e dinin që kjo fjali e Avni Deharit i priste edhe në takimin e 24-të të tyre. Kështu, për po aq herë dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës, që ka ngecur në zgjedhjen e anëtarëve të komisionit për votim të fshehtë për kryeparlamentarin. Edhe këtë…

Lajme
Shihemi pas 48 orëve në 10:30.
Të gjithë në sallë e dinin që kjo fjali e Avni Deharit i priste edhe në takimin e 24-të të tyre.
Kështu, për po aq herë dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës, që ka ngecur në zgjedhjen e anëtarëve të komisionit për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
Edhe këtë dështim PDK ia faturoi kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili sipas Vlora Çitakut, po insiston ta legjitimoj presionin politik si instrument.
”Fatkeqësisht për shkak të kryeneçësisë politike të Kurtit dhe insistimit të tij për të legjitimuar presionin politik si instrument, ne kemi ngelur këtu ku jemi, nuk votohet me diktat. Sot kemi një ngërç artificial politik, iu bëjmë thirrje për reflektim”, ka thënë Vlora Çitaku, PDK.
Por, kandidatja për pozitën e kryeparlamentarës Albulena Haxhiu i sheh partitë tjera politike si bllokuese të procesit.
“Mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktis qëndrimet bllokuese, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, tani ne po presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Albulena Haxhiu, Deputete e LVV-së.
Ndërsa bashkëpartiaku i Haxhiut, deputeti Artan Abrashi thotë vazhdimisht po bëjnë përpjekje t’i bindin deputetët shqiptarë të partive të tjera për të ndryshuar qëndrim.
Por paralelisht me këtë, Abrashi theksoi se po e presin edhe Gjykatën Kushtetuese të sqarojë çështjen e votimit të fshehtë.
Megjithëse, për më shumë se një muaj nuk arritën ta konstituojnë legjislativin, 120 deputetët një ditë më parë morën pagat.
Mirëpo, disa prej tyre nuk u pëlqen të pyeten nëse i meritojnë ato.
“Nuk vendosi unë për pagën. Është çështje procedurale dhe ligjore. Mund të duket pyetje atraktive, por nuk është në kontekstin dhe zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë Armend Zemaj, LDK.
”Nja 1500 euro na kanë dalë pa komisione apo shtesa të tjera”, ka thënë Bekë Berisha, Deputet i AAK-së.
Kurse Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka kritikuar deputetët të cilët sipas tij, pavarësisht që për një muaj e gjysmë nuk prodhuan asnjë vendim, morën nga 2 mijë e 600 euro paga, apo në total 300 mijë euro./Rtv Dukagjini/