Deputetë nga të gjitha partitë bashkohen në një diskutim të përbashkët – për herë të parë që nga pauza kushtetuese e Kuvendit
Për herë të parë që nga hyrja në pauzë kushtetuese e Kuvendit të Kosovës, deputetë nga të gjitha grupet parlamentare do të marrin pjesë së bashku në një takim diskutues, i cili pritet të trajtojë gjendjen e demokracisë në vend dhe mundësinë e rikthimit të konsensusit politik. Takimi me titull “Kuvendi në pauzë, demokracia në…

Lajme
Për herë të parë që nga hyrja në pauzë kushtetuese e Kuvendit të Kosovës, deputetë nga të gjitha grupet parlamentare do të marrin pjesë së bashku në një takim diskutues, i cili pritet të trajtojë gjendjen e demokracisë në vend dhe mundësinë e rikthimit të konsensusit politik.
Takimi me titull “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?” organizohet nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë, dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), dhe do të mbahet sot nga ora 10:00 deri në 12:00, në ambientet e Hotel Prishtina, transmeton lajmi.net
Në panelin e konfirmuar do të jenë të pranishëm përfaqësues të të gjitha partive parlamentare: Nezir Kraki (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Hykmete Bajrami (LDK), Lahi Brahimaj (AAK) dhe Arbëreshë Krasniqi (NISMA Socialdemokrate).
Ky diskutim vjen në një moment të ndjeshëm politik për vendin, kur Kuvendi është në ndërprerje kushtetuese dhe shumë procese legjislative kanë mbetur pezull. Organizatorët synojnë që përmes këtij debati të nxisin dialog dhe reflektim mbi nevojën për bashkëpunim ndërpartiak në funksion të forcimit të demokracisë në Kosovë./lajmi.net/