Dënohen me pesë vite burgim tre zyrtarë të Fushë Kosovës, të akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, të akuzuar për korrupsion, duke i dënuar me pesë vjet burgim (së bashku) lidhur me akuzat për korrupsion. Në këtë rast, Jakup Tërnava në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në…

Lajme

25/04/2024 14:54

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, të akuzuar për korrupsion, duke i dënuar me pesë vjet burgim (së bashku) lidhur me akuzat për korrupsion.

Në këtë rast, Jakup Tërnava në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, ngarkoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. E akuzuar në këtë rast është edhe Mevlude Nishori, por për shkaqe shëndetësore procedura penale ndaj saj është veçuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Tërnava dhe Gërguri u dënuan me nga dy vite burgim, kurse e akuzuara Mustafa-Sadiku me një vit burgim.

Gjykatësja Bytyqi ndaj tre të akuzuarve shqiptoi edhe dënim plotëues- ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose shërbim publik në kohëzgjatje prej tri vitesh, pas përfundimit të dënimit me burg.

Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzuan në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtarë nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Nishori akuzohet se si zyrtare ligjore kishte përpiluar aktvendimin për revokimin e bartjes së pronësisë, e cila ishte në emër të dëmtuarve S.K., B.K., Z.K dhe Xh.K., Kurse, Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masë të sigurisë.

Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.

Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku ngarkohej që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë.