Dënimi me burgim të përjetshëm rrallëherë i zbatuar, shkak mangësitë në aktakuzë

Rastet që shqiptohen nga Gjykatat nuk janë të pakta, e megjithatë qëndrimi në formë të prerë i dënimit me burgim të përjetshëm, rrallëherë se është realizuar. Në rastet e vrasjes së grave, asnjë prej tyre deri më sot. Rast konkret ishte ai i Pjetër Nrecaj i dënuar fillimit për vrasjen e bashkëshortes e vajzës së…

Lajme

30/12/2024 22:07

Rastet që shqiptohen nga Gjykatat nuk janë të pakta, e megjithatë qëndrimi në formë të prerë i dënimit me burgim të përjetshëm, rrallëherë se është realizuar.

Në rastet e vrasjes së grave, asnjë prej tyre deri më sot.

Rast konkret ishte ai i Pjetër Nrecaj i dënuar fillimit për vrasjen e bashkëshortes e vajzës së tij me burgim të përjetshëm, dënim ky që iu zvogëlua në 30 vjet burgim duke iu llogaritur edhe koha që nga paraburgimi në vitin 2018.

Njësoj ishte rasti i Armenda Aliut e vrarë në vitin 2019 nga bashkëshorti i saj. Ndonëse ishte dënuar me po të njëjtën masë, Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2022, dënimin ia uli në 25 vjet.

Jo më ndryshe mbetet rasti i Dardan Krivaqës i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, por që rasti u kthye në rigjykim nga Apeli.

E sipas avokatëve, arsyeja mbesin mangësit në aktakuzë.

”Gjithçka janë hetimet, që mbikëqyren nga ana e Kryeprokurorit dhe zbatohen nga policia. Hetimet e duhura dhe gjendja faktike arrijnë deri tek përpilimi i një aktakuze e cila pastaj, ndihmon gjykatën që pas shtjellimit të vije në një gjendje faktike për një sanksion penal.Lëshimet apo mangësitë krijojnë mundësi që lënda të kthehet në rivendosje”, ka thënë Florim Shefqeti, avokat.

Për Rrjetin e Grave të Kosovës, kjo formë e veprimit të instancave gjyqësore paraqet shqetësim.

“”Është shqetësim sepse po tregon që sado serioze e sheh Kodi Penal vrasjen e grave, në zbatim nuk po gjendet në praktikë. Kjo na bën të dëshpërohemi sepse po duket sikurse Gjyqësori po e toleron vrasjen e grave. Normal që me dënime të ashpra do dërgonin mesazh që t’i parandalonin rastet, fundja ky është edhe qëllimi, të edukojnë masën…kjo të bën të dukesh se s’është aq e rëndësishme që burrat që vrasin gratë, s’është e rëndësishme të dënohen”, ka thënë Adelina Berisha, Rrjeti i Grave të Kosovës.

Me burgim të përjetshëm u dënua edhe bashkëshorti i Sabile Mavrovqani, e vrarë në vitin 2020 nga vet ai. Pas dënimit fillestar me burgim të përjetshëm, rasti u kthye në rigjykim duke ia zvogëluar dënimin me 25 vjet burgim.

I fundit i dënuar me burgim të përjetshëm ishte Edmond Lajçi, për vrasjen e gruas së tij, Gjyljeta Ukella.