Dënimi i Nesiq për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë
Gjykata dje ka dënuar Zivojin Nesiq me 15 vjet burgim për krime të dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky është vetëm rasti i dytë në historinë e pasluftës ku një individ dënohet për dhunë seksuale si krim lufte, duke përfaqësuar një zhvillim të rëndësishëm në procesin e drejtësisë tranzicionale në vend. Qendra…

Lajme
Gjykata dje ka dënuar Zivojin Nesiq me 15 vjet burgim për krime të dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ky është vetëm rasti i dytë në historinë e pasluftës ku një individ dënohet për dhunë seksuale si krim lufte, duke përfaqësuar një zhvillim të rëndësishëm në procesin e drejtësisë tranzicionale në vend.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e mirëpriti vendimin, duke e cilësuar si një hap të domosdoshëm për njohjen e vuajtjeve të të mbijetuarve dhe për ndërtimin e një sistemi drejtësie që vë në qendër viktimën.
Në këtë rast, e mbijetuara ka qenë përfituese e shërbimeve të QKRMT-së, duke marrë mbështetje të vazhdueshme psikologjike dhe ligjore përgjatë gjithë procesit gjyqësor. Organizata thekson se fuqizimi i të mbijetuarve për të dëshmuar, pavarësisht barrierave shoqërore dhe emocionale, është një element thelbësor në kërkimin e drejtësisë.
“Ky dënim nuk është vetëm drejtësi individuale, por edhe një mesazh i qartë për shoqërinë kosovare dhe institucionet që duhet të përballen me të kaluarën e dhimbshme të luftës”, thuhet në deklaratën e QKRMT-së.
Qendra gjithashtu ritheksoi përkushtimin për të vazhduar mbështetjen ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës dhe për të kontribuar në krijimin e një sistemi drejtësie që respekton dhe dëgjon zërin e viktimave. /kp