Dënim me 3.000 euro për përvetësimin e 32.000 eurove

Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me 3 mijë euro gjobë ish-punonjësen e IPKO-s Arbresha Hoti.

Lajme

26/01/2017 16:33

Arbresha Hoti, ish-punonjësja e IPKO-s është shpallur sot fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë për përvetësimin e 31.622.34 eurove të kësaj kompanie.

Hotit në fillim iu shqiptua dënim me burgim prej 6 muajsh, por avokati i saj Ramë Gashi kërkoi nga gjykata që ky dënim të mbrojturës së tij t’i kthehet në gjobë.

Kërkesa e avokatit u pranua nga gjykata dhe dënimi prej gjashtë muajsh burg Arbresha Hotit iu shndërrua në dënim me gjobë prej 3 mijë eurove.

Por gjykata obligoi Hotin që t’ia paguajë punëdhënësit të saj edhe shumën prej 31.622.24 eurove.

Arbresha Hoti akuzohej se në cilësi të personit zyrtar, përkatësisht udhëheqëses së ekipit në kompaninë “IPKO” në Lagjen “Pejton” të Prishtinës, nuk e kishte kryer obligimin e saj për deponimin e pazarit të shitjes në “Pro Credit Bank”.

Sipas aktit akuzues, Hoti i kishte përvetësuar shumën e parave prej 31.622,34 eurove, pasi paratë e pazarit të përditshëm nuk i kishte dërguar në bankë në gjashtë raste.

Prokuroria e akuzonte Hotin se pazarin e përditshëm të pikës së shitjes së IPKO-s në “Pejton” nuk e kishte dorëzuar në bankë më 12, 15, 18, 19, 20 prill dhe më  20 maj të vitit 2011.

Hoti gjatë gjykimit në asnjë moment nuk i ka pranuar pretendimet e  Prokurorisë në aktakuzë dhe është deklaruar e pafajshme. /Kallxo.com