Demotivim total: Shtatë punëtorë lënë punën në OShP për shkak të pagave të vogla
Stafi u pakësua, por jo edhe punët. Organit Shqyrtues të Prokurimit iu dorëhoqen së fundmi shtatë punëtorë, çka po vonon e vështirëson trajtimin e lëndëve. Arsyet e largimeve janë kryesisht pagesa e ulët, sidomos me ndryshimet e fundit, ku siç bëjnë të ditur nga institucioni me status të agjencisë janë ranguar shumë ulët me koeficient…
Lajme
Stafi u pakësua, por jo edhe punët. Organit Shqyrtues të Prokurimit iu dorëhoqen së fundmi shtatë punëtorë, çka po vonon e vështirëson trajtimin e lëndëve. Arsyet e largimeve janë kryesisht pagesa e ulët, sidomos me ndryshimet e fundit, ku siç bëjnë të ditur nga institucioni me status të agjencisë janë ranguar shumë ulët me koeficient të pagave.
“Sa për ilustrim, po ju njoftojmë se ekspertë të prokurimit sikurse që ka OShP-ja, ka edhe në institucionet tjera të drejtësisë si në Prokurorinë Speciale, të cilët kanë pagën 2 apo 3 herë më të lartë se një ekspert shqyrtues i OShP-së, i cili merr pagë afër 500 euro, marr parasysh detyrat dhe përgjegjësitë e një eksperti të OShP-se dhe statusit të këtij institucioni si kauzi gjykatë”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.
E rekrutimi i zyrtarëve të rinj po thonë se merr kohë minimum tre muaj, derisa procedurat tashmë kanë filluar.
“Zyrtarët që kanë dhënë dorëheqje mbanin pozitën: Ekspert shqyrtues, Zyrtar ligjor, Zyrtar për pranim të ankesave, Zyrtar të arkivës dhe Zyrtar i IT-së”, bëhet e ditur tutje.
Ky institucion qëndroi gati dy vjet pa Zyrtar të Teknologjisë, pasi që konkursi u anulua disa herë në mungesë të aplikimeve, që prapë i lidhin me pagat e vogla. Këto zhvillime i përcjell me shqetësim shoqëria civile.
“Sipas Ligjit të prokurimit maksimumi i kohës që mund të marrë OShP në trajtimin e një lënde është 34 ditë, pas kalimit të këtij afati mund të bëhet cak i padive nga operatorët ekonomikë”, deklaroi Valmir Ilazi nga Iniciativa për Progres.
Sipas Ilazit, ligji nuk e parasheh që OShP-ja mund të zgjasë afatin e trajtimit të lëndëve në mungesë të zyrtarëve./kk