Demolli në Dubrovnik flet për shndërrimin e FSK-së në FAK
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të regjionit në Dubrovnik tha se Kosova është e gatshme të jap kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë.

Lajme
Demolli theksoi angazhimin e Republikës së Kosovës në promovimin e stabilitetit, sigurisë rajonale dhe evropiane por, gjithashtu edhe interesin e Republikës së Kosovës për anëtarësimin në të gjitha iniciativat rajonale dhe strukturat globale të sigurisë.
Gjithashtu, ministri Demolli foli edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, duke u shprehur se Forca e ardhshme do të jetë forcë për të mirën e qytetarëve të saj dhe do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë, duke rikonfirmuar se Forca e Armatosura të Kosovës do të ndërtohen mbi parime të larta demokratike si dhe mbi standardet e NATO-s.
Në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të regjionit, në Dubrovnik, Demolli shprehu gatishmërinë që me kapacitetet aktuale që ka FSK-ja, Kosova të jap kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë,
“FSK-ja është e gatshme që të kontribuojë në operacione të shkatërrimit të mjeteve të pashpërthyera, në kërkim shpëtim, mjekësi dhe polici ushtarake dhe me këtë të kontribuojë në paqen dhe sigurinë globale”, tha Demolli.