Demokrati Abdul El-Sayed shpall fitoren në Michigan, bëhet myslimani i parë në Senatin amerikan
Demokrati Abdul El-Sayed ka shpallur fitoren në garën për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke u bërë kështu myslimani i parë që siguron një ulëse në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Mjeku 41-vjeçar iu drejtua mbështetësve të tij në shtabin zgjedhor në Detroit, rreth orës 01:30 pas mesnate sipas kohës lokale, apo 07:30 sipas…
Lajme
Demokrati Abdul El-Sayed ka shpallur fitoren në garën për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke u bërë kështu myslimani i parë që siguron një ulëse në Senatin e Shteteve të Bashkuara.
Mjeku 41-vjeçar iu drejtua mbështetësve të tij në shtabin zgjedhor në Detroit, rreth orës 01:30 pas mesnate sipas kohës lokale, apo 07:30 sipas kohës sonë, raportojnë mediat amerikane.
“Michigan, ia dolëm! Jam krenar dhe i nderuar që qëndroj këtu si senatori juaj i zgjedhur nga shteti i madh i Michiganit”, deklaroi El-Sayed.
Gjatë fjalimit të fitores, ai përdori edhe një shprehje fetare islame, duke thënë: “Mund të kalojmë nga ‘inshallah’ në ‘elhamdulilah’”.
El-Sayed nuk i kurseu as kritikat ndaj lobit proizraelit AIPAC, i cili kishte kundërshtuar kandidaturën e tij.
“Faleminderit që më dhatë mundësinë t’ju mposht dy herë”, tha ai, duke iu referuar përpjekjeve të këtij grupi për ta penguar zgjedhjen e tij.
Ai falënderoi gjithashtu mbështetësit që i kishin besuar kandidatit që, sipas tij, konsiderohej më pak i mundshmi për të fituar.
“Ti zgjodhe urrejtjen, Michigan zgjodhi shpresën”
Në fjalimin e tij, El-Sayed iu kundërpërgjigj edhe sulmeve të kundërshtarëve politikë, duke thënë se ato nuk kishin shënjestruar vetëm atë, por edhe qytetarët që e mbështetën.
Kundërkandidatit republikan, Mike Rogers, i tha: “Mike, shijoje pensionimin”, duke iu referuar edhe jahteve të tij.
“Ti zgjodhe urrejtjen, ndërsa Michigan zgjodhi shpresën”, deklaroi demokrati.
Gjatë fushatës, El-Sayed ishte përballur me sulme edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili e kishte quajtur “xhihadist të rrezikshëm” dhe qëllimisht e kishte thirrur me emrin e gabuar “Mohammed El-Sayed”.
Trump kishte deklaruar gjithashtu se El-Sayed duhej të kalonte nëpër detektor metalesh, ndërsa Rogers ishte përpjekur ta lidhte atë me Vëllazërinë Myslimane. Këto deklarata u kritikuan nga demokratë dhe liderë fetarë lokalë si retorikë kundër myslimanëve.
El-Sayed i kishte mohuar lidhjet me këtë organizatë, duke i cilësuar sulmet ndaj tij si islamofobike.
Në ditën e zgjedhjeve, mbështetje për kandidaturën e tij kishte shprehur edhe ish-presidenti amerikan Barack Obama, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
Kush është Abdul El-Sayed?
El-Sayed është djali i emigrantëve egjiptianë, me profesion mjek dhe epidemiolog. Ai më parë ka shërbyer si komisioner i shëndetësisë në Detroit dhe ka drejtuar shërbimin e shëndetit publik në qarkun Wayne.
Në aspektin politik, ai është shprehur për ndërprerjen e të gjithë ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin, përfshirë edhe mbështetjen për sistemet e mbrojtjes kundërraketore. Ai gjithashtu e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për gjenocid në Gaza.
Në zgjedhjet paraprake të verës, El-Sayed kishte fituar me rezultat të ngushtë ndaj kongresmenes Haley Stevens, e cila më vonë kishte mbështetur kandidaturën e republikanit Rogers.
Ky i fundit është ish-kongresmen dhe ish-agjent i FBI-së. Në vitin 2024, ai kishte humbur garën për Senat ndaj demokrates Elissa Slotkin, me një diferencë prej rreth 20 mijë votash.
Sipas rezultateve të publikuara pasi ishin numëruar 78 për qind e votave, El-Sayed printe me 51.8 për qind, kundrejt 46.2 për qind të Rogersit. Sipas përllogaritjeve të NBC News, republikanit do t’i duhej të fitonte rreth 58.7 për qind të votave të mbetura për ta përmbysur rezultatin.