Demokracia origjinale kosovare

Në demokraci, ka konsensus të pandryshueshëm vetëm për një çështje: Për mënyrën se si një qeveri shkon, dhe një tjetër vjen. Ndërrimi i Qeverisë bëhet me mekanizmat ligjor, të cilët respektojnë legjitimitetin e votës.

Opinion

23/09/2015 17:50

Si mund të përshkruhet a të shpjegohet një ngjarje, si kjo e mbrama e seancës së dështuar të Kuvendit të Kosovës, këtë të martë, me 22 shtator, e cila pati transmetimin televiziv live, dhe ri-transmetimin nga njëqind kënde të mundshme?

Politikisht pra, çka mund të thuhet që po shohim tash në Kuvend dhe në politikën kosovare: Bllokadë? Paralizë? Ngërç politik? Krizë madje?

Apo: Teatër? Lojë? Performansë? Provokim?

Zatën, gjatë seancës së Kuvendit pati momente për të qarë dhe për të qeshur.

Me gjasë, forma e plotë e kësaj dukurie do të hetohet tek në javët vijuese.

Sidoqoftë, qysh tash mund të vërehen disa elemente të veçanta, të cilat paralajmërojnë drejtimin e mundshëm të politikës kosovare.

Para se të gjithash, jemi vet me vetëveten. Si vitin e shkuar, kur për gjashtë muaj Kosova sundohej nga ngërçi politik i pamundësisë së krijimit të institucioneve qendrore, ashtu edhe sivjet, kur situata është ndryshe fare, me një shumicë të qartë parlamentare, dhe me një relacion konfliktuoz në kuvend, roli i faktorit ndërkombëtarë është ai i cili refuzon involvimin në telashet tona që janë ‘prodhim vendor’. Dikë mund ta merr malli për peridhën e UNMIK-ut, më të shumtë janë ata që do të donin atë rolin e dikurshëm të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, por ja që jemi fillikat vet (me atë logjikën e moçme popullore, realisht, ‘vet i katërdhjeti’), dhe duhet me gjetë shtegdaljen nga gjendja e krijuar, kur Kuvendi nuk po mund të punojë fare.

Përpjekja për një shtjellim më të plotë të pështjellimeve politike në vend, shfaqet me tri qasje mbizotëruese në skenën politike të Kosovës: Atë të përplasjes së vazhdueshme, atë të raskapitjes së përditshme, dhe më në fund, atë të krijimin të presedanit.

Të kuptohemi: Secila prej këtyre qasjeve, në veti, mjafton për ta lodhur ‘organizmin politik’ të shoqërisë kosovare, i cili edhe ashtu po përballet me ‘rënien e imunitetit’. Ndërsa kur të bëhen së bashku, siç po ndodhë kohëve të fundit, atëherë ka arsye të bollshme për të mbërritë tek konkludimet që shfaqen me paralajmërimet shqetësuese.

Në demokraci, edhe në këtë tonën, me të gjitha këto të meta që i ka, nuk mund të ketë pajtueshmëri të plotë për asnjë temë të veçantë politike, diplomatike, ekonomike, shoqërore. Kjo është vetë natyra e demokracisë, e garës dhe e konkurencës në demokracinë parlamentare. Megjithatë, në demokraci, gjithnjë ka konsensus stabil, të pandryshueshëm për një çështje: Për mënyrën se si një qeveri shkon, dhe një tjetër vjen.

Ndërrimi i Qeverisë bëhet me mekanizmat ligjor, të cilët respektojnë legjitimitetin e votës: Asaj në Kuvend dhe tjetrës, tek qytetarët e atij vendi.

Natyrisht, pjesë e mekanizmave ligjor janë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Dihet në cilat rrethana.

Teoria e presedanit në demokraci, për krijimin e Qeverisë, nuk ekziston. Nëse në një rrethanë të caktuar, ciladoqoftë jo, ndodhë ndryshimi i Qeverisë pa i respektuar mekanizmat e kodifikuar që ndërtohen mbi legalitetin dhe legjitimitetin, atëherë, mund të pritet që edhe Qeveritë e tjera, të cilat do të krijohen në të ardhmen, (me votë të lirë), të pësojnë njëlloj si ajo e para që detyrohet të largohet në rrugën e cila nuk ekziston në ligj dhe në kushtetutë.

Në demokraci, mjeti shpjegon dhe arsyeton qëllimin. Ai është i paraparë me organizimin e atij shteti. Kur qëllimi arsyeton çdo mjet që mund të përdoret, atëherë, aty nuk kemi të bëjmë fare me demokraci.

Është e qartë se për çka flitet në atë rast.

Politika në një demokraci të mirëfilltë, është mjet për sendërtimin e qëllimeve të cilat parimisht i bashkojnë politikanët dhe qytetarët e thjeshtë. Një shtet i qëndrueshëm, një stabilitet i përgjithshëm, një ekonomi që zhvillohet, një status social që njeh një jetë të durushme për shumicën dërrmuese të qyetatarëve, dhe një ndihmë sociale për të gjithë të tjerët.

Politikani, zgjedhja e tij, është detyrim i qytetarit një herë në katër vjet, kur mbahen zgjedhjet, apo edhe më shpesh, varësisht prej votimit.

Qytetari, mirëqenia e tij, është obligim i politikanit, për çdo ditë të lume, gjatë një mandati parlamentar dhe qeveritar.

Kështu është në të gjitha demokracitë. Kështu do të duhej të ishte edhe në Kosovë.

Por tek ne, shumëçka është ndryshe. Jemi origjinal dhe autentik në demokracinë tonë. Këtë zatën po e kuptojmë përditë e më shumë. Live madje.