Demokracia e lodhur kosovare

Vlera e demokracisë tek ne është në nivelin më të ulët prej se këndejpari ka nisë ndërmarrja e demokratizimit të shoqërisë kosovare.

Opinion

17/09/2015 12:55

Në morinë e Ditëve të veçanta që po i shënojmë në Republikën e Kosovës, gjithnjë në synimin tonë për ta ngritë vetëdijësimin për sprovat dhe problemet e një shoqërie demokratike, çfarë pretendojmë se jemi, këtë javë patëm rastin të flasim për Ditën e Demokracisë, 15 shtatorin.

Sollëm nxënës në Kuvendin e Kosovës, për të parë nga afër se si duket ky ‘tempulli i parlamentarizmit demokratik’, dhamë deklarata të shumta në përkrahje të demokracisë kosovare, konfirmuam, natyrisht, që kemi të bëjmë me një vlerë themelore politike të këtij shteti, etj.etj.

Kaloi kjo Ditë kështu me ceremoni, protokoll dhe deklarata koti.

Këndejpari, siç dihet, nuk ka disponim dhe gatishmëri elementare për tu marrë si duhet me akëcilën çështje, e cila në vitet e mbrama njeh një rënie të cilësisë. Aq më pak për demokracinë kosovare.

Çka mund të thuhet për te, nëse fare pak jemi të sinqertë njeri me tjetrin?

Kur kemi pasë zgjedhje më të mira, të cilat janë kusht për krijimin e institucioneve demokratike, për ta bërë një qeveri me legjitimitetin që del nga qytetari: Kur zgjedhjet i organizonte OSBE  (në kuadër të UNMIK-ut), apo prej vitit 2009 e këndej, kur ne vetë i nënshkruajmë ato?

Përgjigjen në këtë pyetje, e dimë të gjithë. Është e vërtetë që në dy palë zgjedhjet e mbrama, në ato lokalet  (2013), dhe këto nacionalet  (2014), është evidentuar një përparim inkurajues. Megjithatë, vetë akti i mbajtjes së zgjedhjeve kalon në një përkujdesje të shtuar, me një mobilizim shumë të veçantë, që njeh edhe policinë dhe gjyqësinë si akterë të pashmangshëm, për të evituar falsifikimin e vullnetit të qytetarëve.

Kur kemi pasë cilësi, memdim dhe gjuhë më të matur politike: Vite më parë, kur ende nuk ishim bërë shtet, apo tash?

Edhe këtu nuk duhet fare mund për ta gjetë përgjigjen e duhur. Fjalori që në dy vjetët e fundit përdoret, para se të gjithash, në Kuvendin e Kosovës, në masë të madhe nuk mund të haset as në rrugë, as në kafene. Poqëse në rrugë do të dëgjoheshin fjalë të cilat gjithnjë e më shpesh hasen në Kuvendin e Kosovës, me siguri që njerëzit e rëndomtë do t’i lëshonin rrugën atij që i përdorë ato. Dihet pse. Ndërsa, në rrethana kur në kafene do të flitej me aq ashpërsi dhe nerva, siç ndodhë në Kuvend, s’do mend që pronarët e lokalit do ta largonin atë mysafir, sepse po e prishë rendin dhe qetësinë.

A janë partitë kosovare më mirë të organizuara tash, a ka më shumë demokraci në to në rrethanat e sotme politike, apo gjendja edhe në këtë segment shumë të rëndësishëm ka qenë më e mirë vite më parë, kur ende synimi kryesor i të gjitha partive politike ishte pavarësimi i Kosovës?

As këtu nuk mund të ketë përgjigje tjetër, pos atyre që u përmendën më parë.

Partitë politike të shqiptarëve të Kosovës, pa ardhë fare trajnerët dhe instruktorët e shumtë perëndimorë (në atë mësymjen e pasluftës), kanë qenë të gatshme të funksionojnë si subjekte me një demokraci të brendshme, duke aplikuar një sistem të duhur të votimit, po ashtu, duke u përpjekur që në instancat kryesore të tyre, të përfillin mendimet e shumta dhe të aplikojnë një debat të njëmendtë partiak.

Pakçka nga ky kualitet ka mbetur në fuqi viteve të fundit. Partitë politike në masë të madhe vegjetojnë në atë periudhën kohore midis dy palë zgjedhjeve, nuk ka vendime të rëndësishme që mirren aty, ndërsa vështirë që mund të flitet për një demokraci partiake dhe për debate politike.

Nëse pra, siç po del nga kjo analizë e shkurtër, po përjetojmë degradimin e fjalorit politik dhe të cilësisë së parlamentarizmit, nëse partitë politike sot në masë të madhe janë kompani me partneritet publiko-privat, nëse vetë organizimi i zgjedhjeve të lira, mund të garantohet vetëm me masa ndëshkimore, atëherë, konkludimi tek i cili mund të mbërrihet fare lehtë shquan një shqetësim të madh për fatin që ka sot demokracia në Kosovë.

Vlera e demokracisë kosovare sot, pra, mbase është në nivelin më të ulët prej se këndejpari ka nisë ndërmarrja e demokratizimit të shoqërisë kosovare.

Ky është varianti optimist i këtij rrëfimi. Ai pesimist, do të thotë: Do të bëhet edhe më keq, sepse tendencat kryesore, në skenën politike kosovare, janë të tilla. (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)