Dëmet më të mëdha në Malishevë u shkaktuan në fshatrat afër lumit Mirusha

Një ndër komunat më të prekura nga vërshimet në Kosovë ditët e fundit është edhe Malisheva. Në këtë komunë më shumti dëme kanë pësuar fshatrat dhe tokat që shtrihen përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha.

Lajme

16/01/2021 12:42

Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në sektorin e biznesit privat, pasi uji ka depërtuar në disa lokale afariste në qytetin e Malishevës dhe në vendbanime tjera, e po ashtu uji ka depërtuar edhe në disa shtëpi private. Si rezultat i kësaj situate, gjatë ditëve të kaluara ka pasur kërkesa për evakuime dhe strehim të përkohshëm të familjeve.

Por ende nuk dihet saktë se sa toka bujqësore dhe familje janë të dëmtuara.

Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net nga komuna e Malishevës kanë thënë se a aktualisht komisioni për vlerësimin e dëmeve është duke punuar në terren për vlerësimin e dëmeve në këtë komunë dhe pas vlerësimit do të dihet saktë vlera e dëmtimeve.

“Komisioni për vlerësimin e dëmeve është duke punuar në terren për vlerësimin e dëmeve. Kur të përfundoj vlerësimi i dëmeve atëherë do të njoftoheni edhe ju me vlerën e dëmeve. Më së shumti dëme kanë pësuar fshatrat dhe tokat që shtrihen përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha, por se sa tokë dhe familje janë të dëmtuara, do të dihet më saktësish pas vlerësimit të dëmeve”,  kanë thënë nga zyra për informim në Malishevë.

Ata kanë thënë se kompensimi i dëmeve do të bëhet pas vlerësimit, ku do të kërkojnë mjete nga Qeveria e Kosovës.

“Komuna paraprakisht e bën vlerësimin e dëmeve dhe më pas do të kërkoj nga qeveria që të bëhet kompensimi i dëmeve, e më pas, varësisht nga situata do të shqyrtohen edhe mundësitë tjera për kompensim”, kanë thënë tutje nga kjo komunë. /Lajmi.net/