Demarkacioni do të shkojë në Kuvend për votim më 9 mars

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë në rend dite votimin e demarkacionit më 9 mars të këtij viti.

Lajme

23/02/2017 12:33

E përfundimin e demarkacionit me Malin e Zi është duke e kërkuar me ngulm BE-ja dhe SHBA-ja, bëjnë të ditura burime të lajmi.net.

Sipas një burimi demarkacioni do të shkojë në Kuvend për votim më 9 mars, e që kjo do ta zhbllokonte Kosovën në proceset integruese.

Burimi ka thënë për lajmi.net se pavarësisht që opozita ka paralajmëruar se do të kundërshtojë këtë variant të demarkacionit, “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke kërkuar me urgjencë që të kalojë demarkacioni, për arsye se Kosovë ka mbetur prapa në rrugën e eurointegrimeve, konkretisht me liberalizimin e vizave”.

Ndërsa të enjten e ardhshme, më 2 mars, nuk do të jetë në rend dite demarkacioni. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se do të jetë seancë e re plenare, por nuk do të ketë asgjë të veçantë, duke mohuar se do të jetë në rend dite demarkacioni.

Ndryshe zyrtarë të lartë të BE-së kanë kërkuar nga Kosova që ta përfundojë demarkacionin për të lëvizur pa viza qytetarët e Kosovës, ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë kusht duke e konsideruar si shkelje e të drejtave të njeriut dhe standard i dyfishtë./Lajmi.net/