Demaliaj: Protestuesit e VV-së bërtisnin “Poshtë Qeveria” derisa Kurti ishte kryeministër – ishin të paguar

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për debatin e ashpër sot në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga ta që të jenë më konstruktivë.

Lajme

04/06/2020 13:30

Ai ka thënë se të gjitha përgjegjësitë duhet t’i kërkojnë te një adresë, e ajo adresë, sipas tij, është ish-kryeministri Albin Kurti.

“Kisha pas dëshirë që opozita e tanishme të jetë më konstruktive. Ne e kemi një pikë të rendit të ditës që duhet ta shqyrtojmë. Shoh deputetët e qeverisë 50 ditore që thonë kemi me i hapë krejt letrat. E keni një adresë që e ka emrin Albin Kurti, ku do të kërkoni përgjegjësi”, tha Demaliaj.

Ai kritikoi VV-në për rrezikim të shëndetit publik gjatë pandemisë.

“Përveç që keni nxjerr njerëz në shesh dhe e keni rreziku shëndetin publik, keni ba edhe protesta. Protestuesit e juaj bërtisnin poshtë qeveria, a z. Kurti ishte në qeveri. Ata kanë qenë të paguar dhe nuk e kanë ditur se për çfarë po protestojnë”, theksoi Demaliaj.

“Për 50 ditë, por me i pas kalu 500 ditë deri ku kishi shku?”, pyeti ai në fund deputetët e VV-së. /Lajmi.net/